17 Maj 2024

Kosova dhe Zvicra synojnë ta rrisin bashkëpunimin ekonomik

Prishtinë, 20 qershor - Potenciali ekonomik i Kosovës, reformat në të bërit biznes dhe stabiliteti makrofiskal kanë shtuar interesimin e bizneseve zvicerane për të investuar në Kosovë. 

Për të parë mundësitë dhe përparësitë për investime në vendin tonë, rreth 20 biznese nga Zvicra që po qëndrojnë këto ditë në Kosovë, sot morën pjesë edhe në forumin e biznesit Kosovë-Zvicër, i cili u mbajt në hotelin “Swiss Diamond”, në Prishtinë.

Mundësitë për investime dhe reformat në të bërit biznes, para komunitetit të biznesit zviceran i prezantoi edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili njëkohësisht i ftoi ata edhe të investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, këto reforma kanë mundësuar krijimin e një mjedisi afarist stabil dhe të sigurt.

“Arsyet për të investuar në Kosovë janë fuqia punëtore e re, politika e favorshme fiskale, masat preferenciale me BE-në dhe SHBA-në, marrëveshjet për tregti të lirë, siç është CEFTA, resurset natyrore, sidomos ato në fushën e energjetikës dhe të minierave, procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe së shpejti edhe të disa pjesëve të ndërmarrjeve shoqërore, kërkesa e lartë e tregut për produkte, qasja e shpejtë në tregjet rajonale dhe evropiane e mundësuar nga pozita gjeografike e vendit dhe shumë të tjera”, tha kryeministri Thaçi.

Ekonomia e Kosovës, sipas kryeministrit, ka qëndruar shumë e fortë karshi krizës ekonomike ndërkombëtare dhe kjo është edhe një arsye shtesë për të investuar në Kosovë.

Ndërsa, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, thellimin e bashkëpunimit në lëmin e bujqësisë e konsideroj me interes të madh edhe për ristrukturimin e bujqësisë kosovare, pasi sipas tij, pa përkrahjen e deritanishme të shtetit zviceran, e cila veçanërisht në bazamentin zhvillimor të sektorit të hortikulturës ka lënë gjurmë të mëdha, rruga e zhvillimit të sektorit të bujqësisë në përgjithësi do ishte shumë më e mundimshme dhe shumë më e gjatë.

Ministri Stavileci njoftoi edhe për hapat që kjo ministri ka ndërmarr për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorët e huaj, që kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve kosovare dhe zvicerane, të cilat kanë rezultuar edhe më rritje kryesisht të balancuar të shkëmbimit tregtarë në produktet bujqësore.

“Ky sektor ofron mundësi reale dhe të shpejta për zbutjen e varfërisë dhe uljen e shkallës së papunësisë dhe ne si Ministri e Bujqësisë, me politikat tona strategjike, duke përfshirë të gjitha format, masat dhe instrumentet, tashmë jemi të orientuar në mbështetje të faktorëve të prodhimit, në stimulimin e fermerëve dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorë”, tha ministri Stavileci.

Për zhvillimin dhe fuqizimin e iniciativave të ndryshme private, ministri Stavileci tregoi se Kosova tashmë ka edhe një listë të gjatë me inpute dhe pajisje bujqësore që janë të liruara prej TVSH-së dhe tarifave doganore dhe në proces është edhe krijimi i një pakoje të re fiskale, e cila gjithashtu do të krijojë lehtësira të reja për zhvillimin e veprimtarive bujqësore dhe agrobiznesore.

Në anën tjetër, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, tha se këto dy shtete po e thellojnë bashkëpunimin ekonomik edhe për shkak se ekonomia kosovare po tregon progres të madh karshi krizës ekonomike ndërkombëtare.

Në forumin e biznesit Kosovë-Zvicër po marrin pjesë rreth 110 kompani kosovare dhe zvicerane, të cilat po njoftohen për së afërmi me mundësitë e tyre për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)