16 Maj 2024

Kosova dhe Kroacia do të hyjnë në marrëveshje ndërshtetërore

Prishtinë, 28 maj - Kosova dhe Kroacia nga bashkëpunimin në nivel të memorandumeve të mirëkuptimit,  do të hyjnë në marrëveshje ndërshtetërore ku përfshihen fusha të rëndësishme të ekonomisë dhe propozimi ka ardhur nga vet Qeveria e Kroacisë, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas takimit me ministrin kroat të Ndërtimit dhe Planifikimit Fizik, Ivan Vrdoljak.

Ministri Beqaj e vlerësoi vizitën e ministrit kroat jashtëzakonisht të rëndësishme për Republikën e Kosovës, ngase Kroacia që nga viti i ardhshëm do të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, andaj bashkëpunimi bilateral ekonomik mes dy vendeve është i një rëndësie të veçantë.

Ai tha se MZHE është duke analizuar marrëveshjen kornizë dhe sipas saj do të formohet një grup i përbashkët, i cili do të takohet çdo 6 muaj për të analizuar potencialet ekonomike, problemet administrative, të cilat qeveritë duhet t’i eliminojnë në mënyrë që ky proces të vazhdojë në rrugë normale dhe pa pengesa.

“Unë besoj që shumë shpejtë që kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga dy qeveritë dhe nga këndvështrimi i obligimeve qeveritare, ato do të jenë marrëveshje ndërshtetërore dhe ndërkombëtare”, tha Beqaj, duke shtuar se bashkëpunimi me Kroacinë do të përfshijë fushat si energjia, telekomunikacioni, ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe marrjen e përvojës kroate në raport me BE-në sa i përket tërheqjes së fondeve të ndryshme.

Kreu i MZHE-së e ka njoftuar ministrin Vrdoljak me projektet që Kosova i ka tani në vijim e sipër dhe ka ftuar kompanitë kroate të jenë pjesë e këtyre proceseve, të cilat do t’i nënshtrohen rregullave ndërkombëtare dhe konkurrencës ndërkombëtare sipas standardeve më të larta.

Beqaj tha se dy qeveritë do t’i ndihmojnë ekonomitë e tyre që të orientohen drejt tregjeve rajonale  dhe se bashkëpunimi do të jetë në interes të dyanshëm duke u shprehur për një dinamikë të re të marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes Kosovës dhe Kroacisë.

Nga ana e tij, ministri Ivan Vrdoljak ka përcjell përshëndetjet e kryeministrit, zv.kryeministrit kroat për çështje ekonomike dhe vlerësoi se marrëdhëniet e deritashme mes të Kosovës dhe Kroacisë nuk kanë qenë në nivelin e duhur.

“Kam ardhur të përcjell porosinë politike që do të vazhdojmë të jemi miq të Kosovës por njëkohësisht edhe mesazhin që dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej”, tha Vrdoljak duke theksuar se nuk është i kënaqur me atë se Qeveria e Kroacisë nuk e ka marrë me seriozitetin e duhur çështjet e bashkëpunimit me Kosovën në lëmin e ekonomisë.

Ai tha se është koha kur Kroacia është duke hyrë në BE dhe largohet nga CEFTA. Largimi nga CEFTA do ta vështirësojë prezencën e produkteve kroate në Kosovë dhe në qoftë se në momentin e duhur nuk do të veprojnë, atëherë do të ketë probleme me praninë dhe ekonominë kroate në Kosovë.

Vrdoljak tha se porosia që i ka thënë ministrit Beqaj është se këtu kanë ardhur për të kërkuar partner dhe jo të ofrojnë ndihmë, por bashkëpunim të dyanshëm në sferën ekonomike, ngase ekzistojnë mundësitë e bashkëpunimit për tregjet më të gjëra dhe biseda e takimit ishte në këtë drejtim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)