05 Maj 2024

Korrupsioni dhe krimi i organizuar në rritje te vazhdueshme

Prishtinë, 17 korrik - Lëvizja Fol ka mbajtur konferencë për media, me ç’rast ka publikuar raportin e monitorimit të aktiviteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit, gjatë muajit Qershor.

Publikimi i këtij raporti u mundësua nga USAID-i përmes Programit për fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme(Institute for Sustainable Communities).

Armend Mazreku, zyrtar i analizimit dhe monitorimit në Lëvizjen FOL deklaroj: “Për periudhën Prill-Qershor 2010 në Gjyqësorin e Kosovës në kuadër të kategorisë “Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare ose Autorizimit” nga 119 lëndë gjithsej për këtë kategori janë zgjidhur 10 dhe mbeten 109 lëndë të pazgjidhura. Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit nga gjithsej 38 lëndë, vetëm 3 nga këto janë të zgjidhura”.

Sipas tij, Policia në anën tjetër ka raportuar se 19 persona gjithsej janë arrestuar për periudhën Janar-Qershor 2010 për vepra të ndryshme të korrupsionit.  Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës 68 raste të Korrupsionit janë të dërguara në Prokurori me raport të Prokurorit.

“Kuvendi i Kosovës gjatë muajit qershor ka mbajtur katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave nuk është vërejtur ndonjë angazhim për të trajtuar aferat e korrupsionit ose për kërkim të llogarisë për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit”, tha Mazreku.

Ai tha se në kuadër të sistemit gjyqësor është bërë riemërimi i 76 gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë realizuar edhe disa takime të Kryeprokurorit dhe është premtuar reformë e thellë e sistemit gjyqësor. Edhe KGJK-ja ka publikuar Raportin e II – tre mujor (prill-qershor) në lidhje me rastet korruptive.

“Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Bundestagu-t gjerman. Disa nga ata kanë pohuar që “paratë e qytetarëve gjermanë po investohen në vila private të politikanëve kosovarë...ndaj edhe duhet një kujdes ma i shtuar i qeverisë gjermane për të kontrolluar mjetet financiare të taksapaguesve gjermanë sesi shfrytëzohen nga institucionet e Kosovës.

Shqetësimi kryesor i qytetarëve të Kosovës, sipas Raportit të Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së, është korrupsioni dhe mungesa e rezultateve në këtë luftë po shkaktojnë edhe një trend të rënies së besueshmërisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha Mazreku.

Jeta Bajrami, koordinatore e projektit Monitoruesi i korrupsionit deklaroj se Lëvizja FOL që ka muaji Janar i këtij viti bënë monitorimin e aktiviteteve kundër korrupsionit të institucioneve publike në Kosovë.

 “Ky monitorim ka për qëllim të krijoj mekanizma përcjellës të progresit dhe ngecjes në luftimin e problemit kryesor të vendit.  Korrupsioni, i vlerësuar si sfida kryesore për shoqërinë e Kosovës përgjatë 11 viteve të transicionit, vazhdon të mbetet shqetësim i përbashkët i të gjithëve: politikanëve, shoqërisë civile e mediave.

Ndërkombëtarët adresojnë këtë çështje në raportet/vlerësimet e tyre të përvitshme dhe qëndrimet deklarative. Bashkimi Evropian me Raportet e Progresit, e Departamenti Amerikan i Shtetit me raportet periodike për çështje të veçanta, mbesin vërejtjet publike që Kosova i merr pothuajse rregullisht viteve të fundit. Ndërsa raportet e organizatave jo qeveritare ndërkombëtare për Kosovën, kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh herë më të ashpra në adresimin e korrupsionit”. 
  
Sipas Bajramit, vendasit mbeten të ndarë në qasjen për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Përderisa pushtetarët zotohen për ‘zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar’, opozita adreson të kundërtën, duke e cilësuar ‘qeverinë – koka e korrupsionit’.

“Qëndrimet e tyre për çështjen në fjalë ndryshojnë me ndërrimin e pushtetit, e bashkë me të edhe rolet e tyre.  Përgjatë qeverisjes nën administrimin e UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë, publiku kosovar në rolin e spektatorit ka mundur të përcjell rokadën e pushtetit dhe retorikën pothuajse boshe për luftën kundër korrupsionit. Çështja e statusit, e më pas bërja e shtetit, janë shndërruar Atutë kryesore pas të cilave politikanët kosovarë janë fshehur vazhdimisht”, tha ajo.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)