09 Maj 2024

Komuna ka investuar shumë për pakicat në Mitrovicë

Mitrovicë, 8 korrik - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të premten në takim Komisionarin e lartë për pakicat kombëtare pranë OSBE-së në Vjenë, Knut Volebek, me të cilin ka biseduar për gjendjen e pakicave në Mitrovicë.

Volebek është interesuar edhe për aktualitetin e përgjithshëm në këtë komunë.

Sa i përket situatës së përgjithshme, kryetari Kastrati, ka thënë se sfidat janë të mëdha në veri ku veprojnë strukturat paralele serbe.

Ai ka theksuar se këto struktura janë duke e mbajtur peng edhe popullatën serbe në veri duke i bërë presion që të mos integrohet në jetën institucionale të Kosovës.

Poashtu kryetari Kastrati ka përmendur si probleme të mëdha mungesën e lirisë së lëvizjes në veri për shqiptarët, përderisa për serbët në jug dhe në gjithë Kosovën qarkullojnë pa probleme.

“Mosfunksionimi i pikave doganore në veri, mandej gjykatave si dhe mungesa e rendit dhe ligjit, janë disa nga sfidat kryesore për normalizimin e gjendjes në këtë pjesë të Kosovës”.

Ndërsa sa i përket gjendjes së pakicave në Mitrovicë, kryetari Kastrati ka thënë se serbët përkundër mundësive të mëdha që u ofrohen nga ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë duke i refuzuar ato meqë komunat udhëhiqen nga struktura paralele dhe jolegale që dirigjohen nga Beogradi.

Për këtë përmendi si shembuj disa raste kur fonde të caktuara të ndara të institucionet kosovare janë refuzuar në veri.

Në anën tjetër, ai ka thënë se gjendja është krejt ndryshe me pakicat tjera. “Pjesëtarët e pakicave të tjera etnike në Mitrovicë janë integruar në shoqërinë kosovare pa asnjë problem duke i respektuar të drejtat, por edhe obligimet që kanë”.

Volebek u interesua veçmas për gjendjen e komunitetit RAE, për investimet në shkollimin e tyre etj. Poashtu ai është interesuar edhe për situatën në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku jeton popullatë e përzier.

Lidhur me këto, kryetari Kastrati, tha se komunitetit RAE në Mitrovicë është rrëfimi më i suksesshëm i kthimit dhe integrimit në gjithë Kosovën, madje dhe shumë më gjerë.

“Komuna ka ndarë një hapësirë prej rreth 4 hektarësh për ndërtimin e shtëpive të reja në lagjen e rindërtuar në jug të qytetit, ku tashmë janë kthyer shumë familje”, tha ai, duke përmendur edhe mbështetjen e madhe për shkollim, shëndetësi etj.

Ndërsa për Lagjen e Boshnjakëve, kryetari Kastrati, ka theksuar se në atë lagje janë të koncentruara strukturat paralele serbe, duke krijuar probleme dhe incidente të shumta.

“Tha se qeveria serbe ka investuar duke blerë prona të shqiptarëve dhe duke ndërtuar objekte të larta banimi, përderisa UNMIK- u nuk ka lejuar që shqiptarët as t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura në luftë”.

Tha se vetëm tash së voni kanë nisur të rindërtohen një numër simbolik  i shtëpive të shqiptarëve në këtë lagje, ku është orkestruar një politikë e pastrimit etnik nga strukturat paralele serbe. Kryetari Kastrati ka cekur si hap të mirë procesin e rindërtimit në Kroin e Vitakut në veri, ku tashmë janë kthyer edhe disa familje pas më shumë se 12 vite pas luftës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)