25 Prill 2024

Komuna e Mitrovicës ulë normat e tatimit në pronë

Mitrovicë, 24 dhjetor - Komuna e Mitrovicës ka marrë masa për lehtësimin e kushteve për pagesën e tatimeve nga qytetarët, duke ulur të gjitha normat tatimore në nivelin më të ultë në rajon.

Megjithatë realizimi i të hyrave nuk ka shkuar sipas planifikimit dhe drejtuesit komunalë kanë zhvilluar një takim me disa nga borxhlinjtë më të mëdhenj në mënyrë që të gjenden forma për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj komunës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se ai ka realizuar premtimin e tij parazgjedhor për uljen e normës së tatimit.

 “Kemi ulur të gjitha normat tatimore, megjithatë borxhet janë të mëdha ndaj komunës”, tha ai, duke ju ofruar mundësi tjetër borxhlinjve që të paguajnë 1/3 e shumës së përgjithshme, kursen pjesën tjetër ta paguajnë në dy këste.  

Në anën tjetër, drejtori për Financa, Gani Shala, tha se normat për tatimin në pronë janë ulur prej 0.19 në 0.12 për qind për objektet afariste dhe prej 0.9 në 0.8 për qind për objektet banesore.

Ai vuri në pah se megjithë këto masa borxhi i përgjithshëm vetëm për tatim në pronë është mbi 2 milionë euro.

Poashtu ai sqaroi se as për këtë vit nuk është realizuar inkasimi i tatimit në pronë ashtu siç është planifikuar.

“Për periudhën kohore prej janarit deri në muajin tetor të këtij viti janë inkasuar 278 mijë euro që nuk paraqet shifrën e parashikuar”, tha ai, duke shtuar se për këtë vit janë shpërndarë gjithsej 16 mijë fatura për tatim në pronë.

Drejtori Shala tha se janë 57 obligues për tatimin në pronë, të cilët kanë një borxh të përgjithshëm prej 683 mijë eurosh.

Ai tha se ligji parasheh që nëse tatimi nuk paguhet në afatet e parapara, atëherë llogariten edhe kamatat ndëshkuese, të cilat rëndojnë edhe më tepër gjendjen e tatimpaguesit.  

Disa nga tatimpaguesit që kanë borxhe, u ankuan se atyre është duke ju shkaktuar problem fakti që për ndërmarrjet që kanë privatizuar u ngarkohen shuma të mëdha tatimore, që nuk janë në përputhje me vlerën reale me të cilat i kanë blerë ndërmarrjet. Theksuan se nëse nuk do t’u ngarkoheshin këto borxhe, atëherë ata do të mund t’i paguanin më lehtë tatimet.

Në lidhje me këtë kryetari Kastrati, u ka ofruar si mundësi që ata të paktën të paguajnë borxhet që kanë në emër të tatimeve në bazë të vlerës apo shumës me të cilën i kanë blerë objektet e ndryshme që kanë privatizuar. Kjo u mirëprit nga shumica prej tyre, të cilët premtuan se do t’i shlyejnë obligimet që kanë në afatin sa më të shkurtër.    
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)