01 Maj 2024

Komuna e Mitrovicës ndihmon me ushqime banorët e veriut

Mitrovicë, 19 shtator - Pas bllokadave të vendosura nga strukturat paralele serbe në vendet kyçe të qytetit të Mitrovicës, me çka kanë krijuar probleme të mëdha për qarkullim për banorët që jetojnë në lagjet e veriut, sidomos për qytetarët shqiptarë, Komuna e Mitrovicës, ka siguruar një kontingjent ushqimesh për ta.

Artikuj të ndryshëm ushqimorë janë ndarë për banorët e Kodrës së Minatorëve, por edhe për ata të Lagjes së Boshnjakëve.

Zyrtarët komunalë thonë se aktualisht problemet më të theksuara për lëvizje i kanë banorët e Kodrës së Minatorëve, meqë autobusi me të cilin kanë qarkulluar për në jug prej 16 shtatorit nuk ka mundur të dal në këtë lagje.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, thotë se ka pasur kërkesa prej banorëve të atjeshëm për artikuj ushqimorë.

Ai tregon se nga drejtoria e tij për këta banorë janë siguruar rreth 60 pako ushqimore. “Në një pako ushqimore për familjet që jetojnë në Kodrën e Minatorëve ka pasur miell, vaj, sheqer, krip etj”. 

Përveç banorëve të kësaj lagjeje janë ndihmuar edhe banorët e Lagjes së Boshnjakëve. Drejtori i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, thotë se nga drejtoria e tij janë siguruar rreth 200 pako ushqimore për familjet që jetojnë në atë pjesë të qytetit.

“Kemi kërkuar një listë nga përfaqësuesit e lagjes dhe më pastaj kryefamiljarët kanë mundur të marrin ushqimet”.

Jashari thekson se në kontingjentet e ndihmave që ka siguruar komuna për qytetarët e veriut, të cilët kanë probleme me furnizim për shkak të bllokadave të vendosura në rrugë nga grupet ekstremiste serbe, janë ndihmuar qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike.

“Pako ushqimore përveç shqiptarëve, kanë marrë edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak dhe serbë, që jetojnë në Lagjen e Boshnjakëve dhe zonave përreth ”. 

Në anën tjetër, Florent Azemi, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, falënderon komunën për ndihmën e dhënë. Thotë se banorët shqiptarë në këtë lagje në përgjithësi jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe këto ndihma janë të mirëseardhura për ta.

Ai thekson se gjatë këtyre ditëve kur serbët kanë bllokuar rrugët, situata në këtë zonë me popullatë të përzier është shumë e tensionuar.

Potencon se nuk ka pasur incidente, mirëpo shqetësimi i banorëve është i madh për shkak të pranisë së madhe të grupeve ekstremiste serbe që lëvizin në veri dhe nëpër lagje.   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)