29 Prill 2024

Komuna e Mitrovicës ndihmon banorët e fshatrave të Leposaviqit

Mitrovicë, 1 gusht - Dy herë brenda një jave zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë ndihmuar me artikuj ushqimorë banorët e tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit, të cilët kanë mbetur të izoluar për shkak të bllokimit të rrugës magjistrale Mitrovicë- Leposaviq nga strukturat paralele serbe.

Banorët i kanë mirëpritur këto ndihma dhe i kanë falënderuar zyrtarët komunalë që po përkujdesen për ta.

Kamionin e FSK-së me artikuj ushqimorë, që ka qarkulluar nëpër rrugë malore për këta banorë e ka shoqëruar edhe një delegacion i komunës i udhëhequr nga kryetari i komunës, Avni Kastrati.

Në pamundësi për të arritur deri në fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, për shkak të rrugës së pakalueshme për kamion, banorët ishin organizuar me disa traktorë për të marrë ndihmat ushqimore të siguruara nga komuna në thellësi të asaj rruge.

Lulzim Hetemi, përfaqësues i banorëve të këtyre tri fshatrave, pasi i ngarkuan ndihmat ushqimore në traktorët e tyre, tha se këta banorë prej përfundimit të luftës jetojnë në një gjendje të rëndë. “Sa herë ju teket serbëve i bllokojnë rrugët dhe ne mbetemi të izoluar. Vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit na u ka dashur që të bëjmë nga pesë orë rrugë këmbë në një drejtim deri në Mitrovicë për t’u furnizuar me artikuj elementarë”.

Tregoi se prej 25 korrikut kanë mbetur tërësisht të izoluar për shkak të bllokimit të rrugës magjistrale për në Mitrovicë nga strukturat paralele serbe. “Ne qarkullojmë me një minibus prej Mitrovice, mirëpo gjatë këtyre ditëve ai s’ka mundur të lëviz meqë ka barrikada në rrugë, ndërsa ne kemi mbetur të shkëputur nga bota”. 

Në anën tjetër, tha se Komuna e Mitrovicës dy herë radhazi ju ka ndihmuar gjatë këtyre ditëve me miell, vaj, sheqer dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm, duke lehtësuar sapo pak gjendjen e tyre. “Megjithatë ne jemi në pozitë shumë të keqe. Ditëve të fundit pos me zyrtarët mitrovicas nuk kemi pasur asnjë kontakt me kurrfarë strukture as vendore as ndërkombëtare”.

Hetemi sqaroi se këto tri fshatra jetojnë 38 familje, të cilat në përgjithësi janë në gjendje të rëndë ekonomike. Theksoi se ka vetëm disa sish që punojnë, si ndonjë mësimdhënës në shkollën e Bistricës, apo punëtor teknik, por jo më shumë.

Ndërsa kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i cili i shoqëruar nga bashkëpunëtorët arriti nëpër rrugë malore në këto fshatra, ka parë për së afërmi problemet me të cilat po përballen ata. Tha se do të jenë karshi nevojave dhe kërkesave të tyre, përkundër mundësive të kufizuara të  komunës.

Kryetari Kastrati ka falënderuar banorët për sjelljen e përgjegjshme, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojnë. “Qytetarët e veriut kanë treguar pjekuri të lartë duke mos rënë në provokimet e vazhdueshme të strukturave paralele serbe, që vazhdimisht kanë tentuar të destabilizojnë situatën”.

Bashkë me delegacionin në këto fshatra ishte edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili ka organizuar dhe menaxhuar ndihmat për banorët e atjeshëm. Tha se përveç ndihmave ushqimore, për banorët e këtyre tri fshatrave është duke u hapur edhe një rrugë malore në mënyrë që të bëhet e kalueshme të paktën për traktorë në mënyrë që ata të mos mbeten tërësisht të izoluar.        
 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)