01 Maj 2024

Komisioni për Buxhet përkrahu dy kandidatet për Guvernator

Prishtinë, 13 prill - Katër raporte financiare të agjensioneve të pavarura që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës dhe propozimi i Panelit vlerësues të kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë marrë përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme e cila u kryesua nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit.

Komisioni, pasi shqyrtoi propozimin e Panelit vlerësues të kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, konstatoi se të dy kandidatët e propozuar nga paneli i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj dhe i rekomandoi Kuvendit që ta përzgjedhë njërin prej tyre.

Në vazhdim, komisioni i dha përkrahje raportit financiar për vitin 2010 të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), i cili u prezantua nga kryetari i bordit, Rrahman Paçarizi.

Ai bëri një përmbledhje të zhvillimeve në aspektin financuar, që e kanë përcjell RTK-në gjatë vitit të kaluar, me ç’rast potencoi vështirësitë me të cilat televizioni publik është përballur në fillim të vitit 2010, deri në ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës.

Ai tha se RTK-ja është në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje për financim të qëndrueshëm, jashtë buxhetit të qeverisë.

Anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh në adresë të kryetarit të Bordit të RTK-së dhe drejtorit të përgjithshëm, ndërsa ishte qëndrim i përbashkët që brenda këtij viti të gjendet në mënyrë ligjore zgjidhja e qëndrueshme financiare për RTK-në, konform statusit të saj publik.

Diskutime u zhvilluan edhe rreth raportit financiar të Komisionit për Miniera dhe Minerale, të cilin e prezantoi kryesuesi i Bordit, Ahmet Tmava. Anëtarë të komisionit shtruan pyetje dhe ngritën shqetësime që lidhen me veprimtarinë e gurëthyesve ilegalë në Kosovë. Komisioni e përkrahu raportin, me rekomandimin që ai të miratohet në Kuvend.

Anëtarët e komisionit i dhanë përkrahje edhe raportit financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të prezantuar nga drejtori Hasan Preteni, dhe atij të Zyrës Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina, që u prezantua nga drejtori i kësaj zyreje, Raif Preteni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)