01 Maj 2024

Komisioni miratoi raportin e AKP-sër për vitin 2010

Prishtinë, 3 maj - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2010.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori e Agjencisë së AKP-së, Dino Asanaj.

Ndonëse Raporti i Punës, Komisionit i ishte ofruar në formë të shkruar, Asanaj, para anëtarëve të Komisionit, shpalosi objektivat dhe sfidat e AKP-së. “AKP-ja ka vazhduar privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore me metodat e spin-offit dhe me metodën e likuidimit”, tha Asanaj, duke shprehur bindjen se kjo mënyrë e privatizimit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.

Sipas tij, probleme kyçe të Agjencisë vazhdojnë të jenë: pengesat ligjore dhe rregulloret e UNMIK-ut, si dhe neglizhenca e Odës së Veçantë Gjyqësore.

Në vazhdim të mbledhjes, kryetari i Bordit të AKP-së, prezantoi një pasqyrë rreth të hyrave që ka realizuar AKP-ja në procesin e privatizimit gjatë vitit 2010. Lidhur me këtë, Asanaj tha se janë grumbulluar 560 milionë euro.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan se raporti në përgjithësi plotëson kriteret  profesionale. Me theks të veçantë, ata vlerësuan transparencën që përmban raporti.

Në vazhdim të debatit, anëtarët e komisionit shtruan pyetje për kryetarin Asanaj. Ata u interesuan për kombinatin” Trepça” dhe fatin e disa ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special.

Me këtë rast, anëtarët e komisionit shprehën shqetësimin e tyre edhe me pamundësinë që mjetet e grumbulluara nga AKP-ja të investohen në Kosovë.

Duke u përgjigjur në çështjet e ngritura, kryetari i AKP-së tha se “Trepça” nën administrimin e AKP-së, është ende nën ombrellën e Vendimit të Moratoriumit, të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme më 9 mars 2006, bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut 2005/48.

Ai më tej shtoi se ky Moratorium nuk lejon ndonjë shitje, heqje, tjetërsim, apo dhënie me qira të asnjë aseti të ndërmarrjes. Po ashtu, Asanaj sqaroi se Moratoriumi i aplikuar ndaj kombinatit “Trepça”, ndalon krijimin e pengjeve, hipotekave, apo sigurime të tjera të ndërmarrjes, dhe shtoi se kjo masë patjetër që pengon tërheqjen e investimeve.

Ndërkaq, lidhur me kthimin dhe investimin në Kosovë të  mjeteve që ka grumbulluar AKP-ja, ai tha se AKP-ja ka bërë kërkesë dhe vazhdimisht vazhdon ta bëjë këtë, por, në mungesë të ligjeve, ato vazhdojnë të mbesin  jashtë.

Lidhur me sipërmarrjet e privatizuara me spin-off special, Asanaj tha se  janë treguar të pasuksesshme, dhe shtoi se, spin-offi special është dizajnuar nga Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit (AKM) për punësim, pa u studiuar biznes plani dhe fuqia blerëse. Sipas tij, AKP-ja nuk e praktikon këtë formë të privatizimit, duke e konsideruar si të dështuar. 

Anëtarët e Komisionit vlerësuan se raporti është gjithëpërfshirës, i saktë dhe i qartë për punën e këtij Agjencioni, dhe vendosën që t’ia rekomandojnë Kryesisë së Kuvendit për procedim të mëtutjeshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)