02 Maj 2024

KfW projekt për ngrohje dhe furnizimin me ujë në Prishtinë

Prishtinë, 28 tetor - Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, kanë pritur sot në takim përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim –KfW, me të cilët është biseduar rreth investimeve që kjo e fundit ka paraparë në Kosovë, me theks të veçantë, për sektorin e ngrohjes qendrore dhe furnizimit me ujë në Prishtinë.

Drejtoresha e KfW-së në Kosovë, Ute Rodrian, pasi dha një pasqyrë të punës së kësaj banke, u ndal në projektet konkrete që ajo ka paraparë për implementim në Prishtinë, veçanërisht për ngrohjen qendrore dhe furnizimin me ujë të qytetit.

Duke folur për projektin e ngrohjes qendrore për qytetin e Prishtinës, ajo potencoi komponentët që e karakterizojnë këtë projekt: riparimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, implementimin e bashkëgjenerimit të kombinuar të ngrohjes dhe energjisë elektrike ndërmjet ngrohtores dhe termocentraleve, instalimit të njehsorëve të ngrohjes, si dhe masat këshillimore për menaxhimin e kompanive të ngrohjes qendrore.

Rodrian foli edhe për efektet e shumëfishta pozitive që do të ketë implementimi i këtij projekti. 

Sa i përket projektit për furnizimin me ujë në Prishtinë, ajo tha se përfshin ndërtimin e një impianti të ri për përpunimin e ujërave dhe të një rezervuari përkatës, si dhe instalimin e stacioneve të pompimit dhe linjave të transmetimit për në Prishtinë, e që ka ndikim në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, duke i falënderuar përfaqësuesit e KfW-së për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane për Kosovën, projektet e prezantuara i konsideroi të një rëndësie të veçantë për vendin.

Investimet në ngrohje dhe ujë ajo i vlerësoi shumë të dobishme dhe të domosdoshme për qytetarët e Prishtinës, duke pasur parasysh që ato do të ketë efekt të drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës për ta.

Zëvendëskryetari i parë i komisionit, Naser Osmani, projektet i konsideroi strategjike për Kosovën dhe shtroi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit me Bankën Gjermane për Zhvillim. Ai e vlerësoi të rëndësishme njohjen e drejtpërdrejtë me këto projekte përmes vetë përfaqësuesve të KfW-së.

Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Latif Gashi e Sali Asllanaj ngritën çështje që lidheshin me projektet e prezantuara, duke veçuar rëndësinë e tyre për qytetarët e kryeqytetit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)