28 Prill 2024

KE: Prona Intelektuale për tregti ndërkombëtare e rëndësishme

Prishtinë, 28 prill - A ju ka ndodhur te jeni viktimë e mallrave të falsifikuara?  Kjo gjë mund t’i ndodh çdokujt.

Kjo nuk është vetëm çështje e humbjes së parave, por ndonjëherë mund të jetë shumë e rrezikshme e veçanërisht në rastet e produkteve farmaceutike, lodrave ose produkteve ushqimore.

A është e mundur të luftohet ky fenomen, i cili dëmton jo vetëm prodhuesit e mallrave origjinale, por edhe shoqërinë në tërësi? 

Përgjigjja është po. Përmes mbrojtjes të pronës intelektuale, të drejtave autoriale (të librave, materialeve muzikore, pikturave); shpikjeve, shenjave tregtare, dizajneve industriale, krijuesit marrin të drejta eksluzive për të parandaluar shfrytëzimin e rezultateve të tyre nga të tjerët pa pëlqimin e tyre.

Prona intelektuale është e rëndësishme për promovimin e inovacionit dhe kreativitetit, si dhe për zhvillimin e punësimit dhe përmirësimit të konkurrencës. Është një element thelbësor për suksesin e tregut dhe parakusht i nevojshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ky ishte mesazhi që u dha sot në ngjarjen për ngritjen e vetëdijesimit për Pronën Intelektuale, të mbajtur në Hotelin Grand Prishtina dhe në një tezgë të vendosur në rrugën “Nënë Tereza”.

Zhvillimi i një sistemi efektiv për mbrojtjen e Pronës Intelektuale ka rëndësi të posaçme për Kosovën, e cila është duke përforcuar ekonominë e tregut dhe duke rritur përfshirjen në tregtinë ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh rolin në rritje të PI-së në tregtinë ndërkombëtare dhe në rritjen ekonomike, Komisioni Evropian, dy vjet më parë, nisi projektin e “Asistencës për Zyrën e Patentave”, me vlerë 1 milion euro.

Projekti i ka arritur objektivat e tij me sukses. Së fundmi është ngritur Zyra për të Drejtat Autoriale dhe të Drejtat Tjera të Përafërta dhe Zyrës për Pronë Industriale i janë ofruar mjetet dhe metodat e punës për përmirësimin e performancës.

Autoritetet tani kanë në dispozicion një kornizë të plotë ligjore në harmoni me “EU Acquis” (legjislacionin evropian), të gatshme për miratim dhe për hyrje në fuqi.  Së shpejti do të krijohet Këshilli Kombëtar për PI, ku të gjitha autoritetet për zbatimin e ligjit do të koordinojnë aktivitetet e tyre dhe një spektri të gjerë të palëve të interesuara (aksionerëve) i është siguruar ndërtimi i kapaciteteve.

Sinno, ushtrues detyre i Zyrës së KE-së theksoi se “Shoqëria kosovare duhet të jetë e vetëdijshme dhe të kuptojë rolin e sistemit të PI-së. Bizneset, e veçanërisht NVM-të, duhet të jenë të informuara mbi përfitimet që ofrohen nga sistemi i pronës industriale – gjenerimi i mirëqënies dhe rritjes ekonomike. Ato duhet të kuptojnë se do të jenë më të suksesshme dhe më konkurruese në treg përmes krijimit të produkteve dhe teknologjive të reja."

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë të gjithë palët e interesuara për sistemin e mbrojtjes së pronës intelektuale, zyrtarë dhe vendimmarrës, institucione të përfshira në zbatimin e ligjit – doganat, sistemi gjyqësor, policia, inspektorati i tregut dhe përdoruesit e mundshëm, përfshirë këtu bizneset, artistët, universitetet, mediat. 

Të gjitha u dakorduan për rëndësinë e sistemit të DPI-së dhe kanë mirëpritur përpjekjet e bëra për ngritjen e vetëdijësimit dhe rritjen e kapaciteteve. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)