29 Mars 2024

KE: Kritika Kosovës për korrupsionin

Bruksel, 4 nëntor - Komisioni Evropian ka publikuar raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe paketën e strategjisë së zgjerimit të BE-së.

Komisioni Evropian, në këto raporte vlerëson se është arritur pak përparim në shumicën e vendeve të mbuluara me këtë strategji. Kroacia është qartë vendi që ka përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas raporteve të Komisionit Evropian, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi probleme kryesore mbeten: funksionimi jo i duhur i administratës publike, politizimi i gjyqësorit dhe liria e mediave.

Në anën tjetër, vlerësohet se të gjitha këto vende, në mënyra të ndryshme, kanë qenë të goditura nga kriza financiare.

Vendet që janë më të integruara në skenën globale ekonomike, si: Kroacia, Turqia dhe Serbia, kanë qenë më të goditura, ndërsa vendet si: Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, që janë më pak të integruara në tregun ndërkombëtar, kanë qenë edhe më pak të goditura.

Sa i përket Kosovës, raporti nënvizon se është arritur një lloj përparimi në disa fusha, ndërsa përparimi më i madh konsiderohet të jetë në aspektet politike, sidomos në procesin e decentralizimit, duke theksuar se janë krijuar disa komuna me shumicë serbe si komuna të reja.

Komisioni Evropian, megjithatë, kritikat ndaj Kosovës edhe kësaj radhe i fokuson kryesisht në mungesën e lirisë së shprehjes - ku thuhet se në Kosovë nuk është e garantuar në praktikë liria e shprehjes - pastaj në ndikimet politike në procesin e emërimit dhe riemërimit të gjykatësve si dhe në luftën jo të duhur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndonëse thuhet se Kosova ka filluar t’i bëjë hapat e parë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nënvizohet se nuk ka ende rezultate të duhura në këtë aspekt.

Si shembull përmendet fakti i deklarimit të pasurisë së politikanëve, ku Komisioni Evropian thekson se ka një mospërputhshmëri të madhe ndërmjet të të ardhurave që deklarohen dhe pasurisë që kanë këta politikanë.

Në këtë kapitull, Komisioni thotë se duket se nuk ka vullnet të duhur nga ana e politikanëve në Kosovë për ta luftuar këtë dukuri.

Në raport përmendet edhe mundësia e nisjes së dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo thuhet se vendimi për këtë i takon Komisionit Evropian si dhe vendeve anëtare të BE-së, ndërsa Kosova duhet t’i përmbushë kriteret nga ana e saj.

Po sot, janë bërë publike edhe opinionet e KE-së për aplikimin zyrtar të Malit të Zi dhe të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përderisa Komisioni sugjeron që Malit të Zi t’i jepet një status kandidati, për Shqipërinë nuk ka qenë në gjendje të sugjerojë një gjë të tillë.

Problem politik në Shqipëri thuhet se është funksionimi jo i duhur i institucioneve demokratike, sidomos i Parlamentit, si dhe mungesa e zgjidhjes së problemit të dialogut politik në mes të qeverisë dhe opozitës. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)