28 Prill 2024

KDI: Ligji për Deklarimin e Pasurisë nuk ka dhënë rezultate

Prishtinë, 14 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temën “Implementimi i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë”, me ç’rast është publikuar analiza “(Mos) deklarimi i pasurisë”. Pjesëmarrësit e kanë vlerësua lartë analizën  e KDI-së, ndërkohë sa i përket implementimit të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, është vlerësuar se ka ngecje në implementim dhe se kërkon ndryshime dhe plotësime të mëtejme. 


Merita Mustafa nga KDI ka paraqitur disa fakte që dëshmojnë se ligji nuk ka dhënë rezultate e duhura. Mustafa i ka ndarë këto fakte në tri grupe. “Kategoria e parë janë 68 zyrtarët të cilët e injorojnë plotësisht ligjin; kategoria e dytë janë zyrtarët që kanë bërë deklarim sipërfaqësor, si rasti i Presidentit; si dhe kategoria e tretë janë zyrtarët që paraqiten shembull i mirë, si rasti i kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota dhe ministrja e AP Edita Tahiri”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, panelistja Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike, ka thënë se shteti i Kosovës është në nj fazë të hershme të demokracisë dhe se duhet përpjekje për të ndërtuar një shtet ligjor. Ndërkohë sa i takon deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, ajo ka thënë se luftimi i korrupsionit lidhet me suksesin e shtetit. “Sa më shumë që luftohet korrupsioni, aq më i suksesshëm është shteti”, ka thënë Tahiri.

Danielle Spinard nga USAID-i ka thënë se eksperienca tregon që duhet bërë shumë më shumë në implementimin e këtij ligji. “Zyrtarët duhet ta respektojnë dhe ta dinë rëndësinë e ligjit”, ka thënë Spinard.

Jetullah Aliu nga Agjencioni Kosovar Kundër-korrupsion, ka ripërsëritur kërkesën që deklarimi i rrejshëm të caktohet si vepër penale. “Kemi kërkuar edhe nga Ministria e Drejtësisë që deklarimi i rrejshëm të cilësohet si vepër penale dhe kjo të përfshihet në kodin penal”, ka thënë ai.

Ndër më kritikët është paraqitur deputeti i pavarur, Naim Rrustemi. Ai ka kritikuar mënyrën e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët më të lartë të shtetit. “Disa prej zyrtarëve publikë nuk e kanë marrë shumë serioze deklarimin e pasurisë...”, ka thënë Rrustemi.

Naser Rugova ndërkohë ka theksuar mangësitë e formularit për deklarimin pasurisë. Ai ka kërkuar që të ndryshohet ky formular.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar që deklarimi i pasurisë të mos lidhet me moralin, por me ligjshmërinë.

KDI këtë debat e ka organizuar në kuadër të projektit të përbashkët me Lëvizjen FOL, projekt ky i  mbështetur nga USAID dhe Instituti për Komunitete të Qëndrueshme(ISC), përmes programit për fuqizimin e shoqërisë civile. Qëllimi kryesor i këtij projekti është;” monitorimi i hartimit dhe implementimit të pakos ligjore kundër-korrupsionit”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)