02 Maj 2024

KDI lanson publikimin “Barometri Global i Korrupsionit 2010”

Prishtinë, 9 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me rastin e “ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit - 09 Dhjetor”, ka lansuar publikimin më të ri “Barometri Global i Korrupsionit 2010” (Global Corruption Barometer).

Ky publikim është përpiluar nga  organizata me renome botërore kundër korrupsionit   “Transparency International”, ku si partner kryesor ka Institutin Demokratik të Kosovës, të cilit edhe i jep të drejtën e lansimit të këtij raporti  për Kosovën.

Merita Mustafa, menaxhere e programit të KDI-së “Transparenca dhe Antikorrupsioni” ka thënë në konferencën për media se “Barometri global është një sondazh i opinionit publik, që realizohet  nga organizata Transpareny International, e që i matë perceptimet dhe përvojat e njerëzve të zakonshëm që kanë të bëjnë me korrupsionin.

“Barometri global i Korrupsionit për vitin 2010 reflekton pikëpamjet e më shumë se 91 mijë respondentëve në 86 vende, duke e bërë atë edicionin më të plotë që nga lansimi i tij i parë më 2003. Pra,  ky është edicioni i shtatë me radhë, ndërsa hulumtimi është bërë në periudhën kohore 01 qershor 2010 dhe 30 Shtator 2010”, ka deklaruar Mustafa.

Nga ana tjetër, Esat Mazreku nga KDI ka shpalosur përmbajtjen e raportit, duke thënë se 73% e të anketuarve në Kosovë besojnë se që nga viti 2007 niveli i korrupsionit është rritur, përderisa vetëm 8% mendojnë se korrupsioni është ulur. Sipas tij, ashtu si në gjithë botën, edhe në Kosovë partitë politike shihen si institucionet më të korruptuara në vend, të përcjella nga gjyqësori dhe çuditërisht parlamenti.

“Shihet qartazi se institucionet politike dhe Gjyqësori kanë një imazh tejet negativ tek qytetarët. Prandaj, politikanët dhe gjyqtarët duhet të përpiqen shumë për ta përmirësuar atë, përderisa e tërë përgjegjësia për shkallën e lartë të korrupsionit u vishet atyre”, ka thënë Mazreku.

Perceptimi i të anketuarve sipas tij është se sektorët më pak të korruptuar janë OJQ-të, Kleri (institucionet religjioze), mbrojtja dhe policia, institucion ky që prinë në rajon porsa i përket perceptimin mbi nivelin e korrupsionit.

“Dhënia e ryshfetit përbën shqetësim serioz, si në nivel global ashtu edhe në Kosovë. 15% e të anketuarve kanë deklaruar se ata ose dikush nga të afërmit e tyre kanë dhënë mitë në forma dhe institucione të ndryshme. Duhet të kihet parasysh se ryshfeti, në të shumtën e rasteve i prekë shtresat më të varfra të popullsisë së një vendi, përfshirë edhe Kosovën”, ka thënë Mazreku në konferencën për media.

Sipas Barometrit Global të Korrupsionit, 61% e të anketuarve mendojnë se masat anti-korrupsion nga ana e qeverisë nuk kanë pasur ndonjë efekt, përderisa 32% mendojnë se masat kanë qenë efektive.

“Në përgjithësi, në nivel rajoni, Kosova qëndron jo mirë për sa i përket perceptimit të korrupsionit me notën mesatare prej 3.5”, ka thënë ai.

Njëkohësisht, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit - 09 Dhjetor, ky publikim lansohet edhe në nivel global.

Për herë e të parë, barometri i këtij viti pyet njerëzit e zakonshëm nëse kanë vullnet të përfshihen në luftë kundër korrupsionit:

Përgjigjet e qytetareve në këtë drejtim kane qenë se; 7 nga 10 respondentët kanë shprehur gatishmëri që të raportojnë për ndonjë rast të korrupsionit, 7 nga 10 repsondentët po ashtu kanë deklaruar se njerëzit e zakonshëm mund të bëjnë  ndryshime në luftën kundër korrupsionit, ndërsa gjysma e tyre janë shprehur se mund të imagjinojnë veten të përfshirë në luftën kundër korrupsionit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)