30 Prill 2024

Italia e Greqia probleme të mëdha me borxhet

Romë - Athinë, 14 shtator - Pronarët e taksive në Athinë vazhduan grevën kundër masave të ashpra ekonomike, të cilat shtojnë konkurencën ndaj profesionit të tyre, ndërkohë që ata protestuan edhe para parlamentit.

Ndërkaq në Itali ka njoftime se Roma po përpiqet të bindë Kinën të blejë bono thesari ose të investojë në kompanitë italiane.

Greva zhvillohet mes alarmit në rritje lidhur me përpjekjet e qeverisë greke për të shpëtuar ekonominë, një ditë pas miratimit të një takse të re, ngritja me 1 për qind e TVSH-së, tatimit mbi vlerën e shtuar.

Qeveria socialiste pretendon se masat e reja ekonomike u diktuan nga rënia e të ardhurave, që po kërcënojnë programin jetësor të ndihmave ekonomike për vendin.

Punonjësit e sektorit të grumbullimit të taksave dhe doganave janë të zemëruar nga shkurtimi i shpërblimeve të tyre, ndërkohë që shoferët e taksive kundërshtojnë heqjen e kufizimeve mbrojtëse të liçensimit.

Pronarët e taksive zhvilluan gjithashtu një grevë të gjatë në korrik, duke bllokuar portet dhe aeroportet.

Ndërkaq në Itali ka njoftime se Roma po përpiqet të bindë Kinën të blejë bono thesari ose të investojë në kompanitë italiane.

Një zëdhënës i Ministrit të Financave, Giulio Tremonti konfirmoi sot njoftimet se ministri i thesarit ishte takuar me drejtorin e Korporatës Kineze të Investimeve, Lou Jiwei, por zëdhënësi nuk pranoi të bënte komente të tjera.

Ky lajm bëri që tregu i aksioneve të Milanos të hapej në territor pozitiv, pas tensioneve të djeshme në bursat evropiane. Por më vonë, tregjet e aksioneve në Evropë, përfshirë edhe atë të Milanos, pësuan rënie.

Aksionet evropiane ranë në nivelin më të ulët në më shumë se dy vjet pasi ministri gjerman i Ekonomisë, Philipp Roesler, i ulur në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel, la të kuptohej se Evropa nuk përjashtonte mundësinë që Greqia mund të mos jetë në gjendje të paguajë huatë e saj.

Mospagimi i huave nga ana e Greqisë ka të ngjarë të ngrejë shkallën e interesit në vendet e tjera me borxhe të mëdha në eurozonën me 17 vende. Një gjë e tillë do të krijonte probleme serioze për bankat franceze, të cilat i kanë dhënë Greqisë sasi të mëdha të borxhit të saj.

Ekonomistët thonë se një krizë bankare në Evropë do të dëmtonte perspektivat e rimëkëmbjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe mund të pasohet me një recesion tjetër global. Frika e një krize më të madhe bëri që vlera e Euros të binte në nivelin më të ulët përkundrejt dollarit në 7 muajt e fundit.