30 Prill 2024

Investitorët të shqetësuar për rritjen e çmimeve të naftës

Londër, 23 shkurt - Çmimet e naftës po rriten ndërkohë që shtimi i dhunës në Libi ka ngjallur shqetësime se furnizimet mund të pësojnë çrregullime.

Frika është se pas Libisë, trazirat në Lindjen e Mesme mund të përhapen në vende të tjera prodhuese të naftës.

Në qytetet më të populluara të Libisë, protestat u përhapën me shpejtësi.

Por ndryshe nga revoltat që rrëzuan sunduesit në Egjipt dhe Tunizi, dhuna e përgjakshme në Libi i ka shqetësuar së tepërmi investitorët.

Libia është eksportuesi i 12 më i madh i naftës në botë dhe prodhon 1,6 fuçi në ditë. Pjesa më e madhe e naftës eksportohet në Evropë.

Dje, shefi ekzekutiv i BP-së, Bob Dadli, konfirmoi se kompania po pezullon shpimet në Libi.

"Ne kemi në Libi operacione që janë shumë të kufizuara. Janë në fazat e para. Disa nga njerëzit tanë janë larguar. Ne duam të bëjmë biznes në Libi por si gjithë të tjerët po e ndjekim gjendjen me kujdes të madh."

Pasiguria rreth Libisë, vendi i katërt më i madh prodhues në OPEK, bëri që çmimi i naftës dje të arrinte në mbi 105 dollarë për fuçi.

Ekspertët paralajmërojnë se çmimi mund të arrijë në 147 dollarë për fuçi nëse protestat përhapen në vende të tjera prodhuese të naftës.

Strategu i investimeve, Filip Pull, thotë se kjo mund të ketë pasoja serioze për ekonominë botërore.

"Mendoj se rreziku është serioz dhe nxit inflacionin, i cili është tashmë një problem i madh në vendet me zhvillim të shpejtë. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të naftës bashkë me ato të ushqimeve, janë në fakt një taksë mbi konsumatorin nëse pagat nuk rriten."

Tani për tani, rritja e numrit të të vrarëve në Libi po shkakton alarm.

Rid Brodi i organizatës Human Rights Watch, thotë se deri tani janë vrarë të paktën 233 protestues.

"I duhet bërë e qartë qeverisë libiane se nuk mund të hapë zjarr ndaj demonstruesve paqësorë, se këto përbëjnë krime dhe se autorët e tyre do të përgjigjen një ditë. "

Në të gjithë botën, protestuesit kanë dënuar përdorimin e dhunës nga Ghadafi.

Shumë njerëz kanë shprehur zemërim ndaj fjalimit që mbajti djali i tij, në të cilin foli për mundësinë e luftës civile dhe tha se regjimi i të atit do të luftojë deri në plumbin e fundit.

Ministri i jashtëm australian Kevin Rudd tha se ky kërcënim duhet marrë seriozisht.

"Kjo është një perspektivë e frikshme. Prandaj komuniteti ndërkombëtar po i dënon me kaq forcë masat e marra nga regjimi i Ghadafit."

Ndërkohë, Fitch Ratings një agjenci vlerësimesh ekonomike e ka ulur kreditin e Libisë.

Megjithëse Libia nuk ka borxhe qeveritare, agjencia tha se ulja e kreditit pasqyron shpërthimin e rrezikut politik në vend, tani që protestuesit po kërkojnë t’i jepet fund sundimit prej 4 dekadash të Ghadafit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)