08 Maj 2024

Hoxhaj: Kosova ka krijuar ambient të favorshëm për investime

Romë, 8 korrik - Gjatë vizitës në Itali, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dhënë një intervistë për Agjencinë Mesdhetare të Lajmeve, me seli në Romë, ANSAmed.

Gjatë intervistës, Ministri Hoxhaj ka folur për zhvillimet kryesore në dhe rreth Kosovës, perspektivat integruese të shtetit tonë, si dhe proceset e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Ministri i Jashtëm kosovar, ka thënë se midis çështjeve të hapura, urgjente për Kosovën, është objektivi i heqjes së vizave për qytetarët e saj, në mënyrë që t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen.

“Jemi një vend shumë i izoluar” citohet Ministri, por duke shprehur besim në mundësinë e marrjes së shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, që do të bëjë të mundur arritjen e këtij objektivi në vitin 2012.

Në këtë aspekt, Hoxhaj ka shfaqur po ashtu bindjen e plotë në mbështetjen italiane më qëllim të avancimit të proceseve integruese evropiane të Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka thënë se në dhjetë vjetët e ardhshëm të gjitha vendet ballkanike duhet të bëhen anëtare të BE-së, me qëllim që edhe vetë projekti i BE-së të kompletohet, por “edhe sepse bëhet fjalë për kombe të reja, që mund të kontribuojnë shumë në ekonominë evropiane”.

Gjatë intervistës, Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për ambientin e krijuar për investimet nga jashtë.

Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se Kosova ka një nga ambientet më të mira për të investuar, falë politikave fiskale, profesionalizmit të punëtorëve dhe mundësisë për hyrjen në tregjet e vendeve të tjera ballkanike.

Hoxhaj, po ashtu ka folur për përkushtimin e Institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin e gjithëmbarshëm me Italinë.

Ministri Hoxhaj për ANSAmed, ka thënë se është i interesuar për një politikë të jashtme që të jetë në gjendje të krijoj një bashkëpunim që të përfshijë edhe shoqëritë civile të dy vendeve, me iniciativa të tipit kulturor.

“Në takimin me Frattinin do të përqendrohemi se si të përforcojmë marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike, por edhe se si të promovojmë projektet që kanë për qëllim afrimin e qytetarëve”, citohet Hoxhaj.

Ndërsa në planin politik, Ministri kosovar ka veçuar rolin e luajtur nga Italia për favorizimin e paqes, stabilitetit, sigurisë në Ballkan,  por edhe për mbështetjen në  integrimin evropian të Kosovës.

“Në planin ekonomik është duke u punuar për një sërë marrëveshjesh mbi sistemin tatimor, infrastrukturën dhe promovimin e investimeve italiane në vend”, citohet Hoxhaj.

Midis sektorëve që janë të hapura për investimet italiane, Ministri Hoxhaj ka përmendur bujqësinë, ndërtimet dhe teknologjinë informative, ku Kosova, siç ka thënë Ministri, ka shumë të rinj të kualifikuar. Por, Hoxhaj, ka vënë në dukje edhe pasurinë e gjerë të Kosovës me qymyr.

Vizita e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në Itali, është raportuar nga mediat dhe agjencitë e ndryshme italiane.

Pas përfundimit të vizitës në Itali, të premten, Ministri Hoxhaj i është bashkuar Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Dubrovnik, në Samitin e Kroacisë, ku marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe liderët shtetërorë të vendeve të rajonit..

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)