07 Maj 2024

Hamza: Të hyrat për nëntë muaj, janë 933.1 milion euro

Prishtinë, 15 tetor - Bazuar në ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë,  Ministri i i Financave, Bedri Hamza , ka prezantuar sot para mediave Raportin e Buxhetit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2011.

Ministri Hamza theksoi se “veçoritë kualitative të këtij raporti janë ngritja substanciale e të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe ngritja kualitative në kategorinë e investimeve kapitale”.

Ai në vazhdim paraqiti një  përmbledhje të raportit nëntëmujor,  për të hyrat dhe të dalurat, duke i pasqyruar të dhënat në formë analitike dhe krahasuese për periudhën nëntëmujore.

“Pranimet gjatë nëntëmujorit të vitit 2011, duke mos përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 933.1 milion Euro dhe paraqesin 74% të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara,  ndërsa  kemi një rritje prej 4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, tha Ministri Hamza.

Ndërsa, sa i përket pagesave Ministri Hamza tha se “gjatë nëntëmujorit të vitit 2011 duke mos përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 902.7 milion Euro dhe paraqesin 60% të planit të përgjithshëm vjetor”.

Në fund të prezantimit Ministri Bedri Hamza , tha se gjendja e Bilancit të fondeve  deri më 30 shtator 2011 është  317.6 milion Euro.

“Gjendja fillestare e fondeve të Buxhetit të Republikës së Kosovës në vitin 2011 ka qenë  290.8 milion Euro, si rezultat i mbledhjes ma të madhe të të hyrave se sa shpenzimeve gjatë kësaj periudhe kemi rritje të bilancit të fondeve për 27.8 milion Euro”, tha Ministri Hamza.

Pranimet (të hyrat)

Pranimet gjatë nëntëmujorit të vitit 2011, duke mos përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 933.1 milion Euro dhe paraqesin 74% të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara,  ndërsa  kemi një rritje prej 4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Pranimet nga tatimet kufitare - Dogana arrijnë në 72% të planit vjetor për këtë kategori dhe përfshijnë shumën  prej 590.9 milion Euro, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje për 16% për këtë kategori.

Pranimet e  mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) arrijnë në  74% të planit të vjetor për këtë kategori dhe shprehur në masë monetare janë 193.4 milion Euro, ndërsa krahasuar periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 22 %.

Të hyrat vetanake komunale janë në shumë prej 36.9 milion Euro ose 63% të planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 10 %.

Të hyrat vetanake të nivelit qendror janë në shumë prej 36.3 milion Euro ose 66% të planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi ulje prej 9 %.

Pranimet jo tatimore qeveritare janë në shumë prej 34.7 milion Euro ose  76% të planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi ulje prej 5 %. Pranimet nga Dividenda janë në shumë prej 60.0 milion Euro

Pagesat (të dalat)

Pagesat gjatë nëntëmujorit të vitit 2011 duke mos përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 902.7 milion Euro dhe paraqesin 60% të planit të përgjithshëm vjetor.

Pagesat nga kategoria ekonomike rroga dhe paga janë 249.7 milion Euro ose 64% të planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010 pagesat për këtë kategori kanë qenë 12% më të larta (pagat e muajit shtator 2011 janë paguar në muajin tetor)

Pagesat nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime janë 93.95 milion Euro ose 55% e të planit vjetor. Ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë për 1% ma të ulëta.

Pagesat nga kategoria shërbime komunale janë në shumë prej 13.2 milion Euro ose 56% e planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë për 5%  më të larta në këtë vit.

Pagesat nga kategoria ekonomike Subvencione dhe transfere  janë në shumë prej 185.9 milion Euro ose 67% e të planit vjetor, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë për 7%  më të larta në këtë vit.

Pagesat nga kategoria ekonomike Investimet kapitale janë në shumë prej 327.7 milion Euro ose  55% e  planit vjetor,  ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë te vitit paraprak kemi rritje prej 39%.

Financimet tjera janë në shumë prej 35.2 milion Euro ose 63%  të planit vjetor .Në kuadër të kësaj kategorie bëjnë pjesë huaja e KEK-ut në shumë prej 24.1 milion Euro dhe pagesa e borxhit të jashtëm në shumë prej 11.1 milion Euro. 

Gjendja e fondeve me 30 shtator 2011.

Bilanci i fondeve me datë 30 shtator 2011 është  317.6 milion Euro.

Gjendja fillestare e fondeve të Buxhetit të Republikës së Kosovës në vitin 2011 ka qenë  290.8 milion Euro, si rezultat i mbledhjes ma të madhe të të hyrave se sa shpenzimeve gjatë kësaj periudhe kemi rritje të bilancit të fondeve për 27.8 milion Euro.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)