16 Maj 2024

Greqia mund t’i rikthehet Dhrahmisë

Athinë, 9 qershor - Dhrahmia, për shumë grekë i takon së kaluarës, ose siç shihet në këtë treg të Athinës, një koleksioni monedhash.

Por në muajt e ardhshëm, Dhrahmia mund të bëhet sërish monedha greke, nëse Greqia del nga Eurozona dhe i kthehet përsëri valutës kombëtare.

Për Vasilis Kapsis, kjo do të ishte e frikshme. Ai nuk ka punuar që prej shtatorit të kaluar, kur dyqani ku ai punonte u mbyll.

Kostoja e banesës strehimit për familjen e tij re është tashmë diçka tepër e vështirë; pagesa e faturave për jetesën është thuajse e pamundur dhe ai beson se kthimi tek dhrahmia do të ishte fatkeqësi:

“Nëse kthehemi përsëri tek Dhrahmia, kjo do të thotë se unë nuk do të kem para në xhep, se do të ketë edhe rritje çmimesh. Për njerëz si ne, me fëmijë, e sidomos me fëmijë të vegjël, do të jetë tepër e vështirë.”
 
Ai mund të ketë të drejtë. Në një raport më të fundit të Bankës së Greqisë thuhej se nëse do të rifillonte përdorimi i saj, monedha greke do të zhvlerësohej me 65 për qind, duke goditur më shumë njerëzit që paguhen më pak. Po sipas raportit, inflacioni do të shënonte një rritje prej 2 deri në 30 për qind dhe papunësia do të arrinte në shifrën rekod 34 për qind.

Jason Manolopoulos, menaxher i një fondi investimesh dhe autor i librit “Borxhi i urryer i Greqisë”, parashikon kaos, nëse do të rifillonte përdorimi i Dhrahmisë, duke arritur madje në përfundimin se “qeveria në fakt nuk do të kishte më fonde”.

“Mendoj se në ditët e para do të jetë kaos. Bankat do të mbylleshin. Ndoshta bankat do të mbylleshin për tre deri në katër ditë, që do t’i jepte kohë qeverisë të merrte disa vendime për hapat e mëtejshëm që do të merreshin. Tregtia me jashtë do të ndalonte, prandaj do të ishte tepër e vështirë për Greqinë të importonte mallra, përveçse me para në dorë. Depozitat do të ngrinin dhe njerëzit nuk do të ishin në gjendje të tërhiqnin para pa kufizim. Dhe qeveria në fakt, nuk do kishte financat e mjaftueshme.”

Dhoma e Tregtisë e Athinës beson se 136 mijë biznese do të falimentojnë brenda disa muajsh, nëse Greqia rikthehet tek Dhrahmia. Kriza financiare do të prekte çdo sektor të ekonomisë dhe do të rëndonte jetën e përditshme:

“Industria ushqimore mund të plotësojë vetëm 52 për qind të nevojave të konsumatorit. Kush do të garantojë 48 për qind të nevojave të tjera, në kushtet kur nuk ka për të patur  sektor bankar që do të garantonte këto transkasione?” –thotë ai.

Por a nuk do të përfitonte industria e Greqisë nga kjo? Një monedhë kombëtare e zhvlerësuar mund ta bëjë atë më kompetitive, mund të ndihmojë eksportet dhe mund ta ndihmojë Greqinë të dalë nga gjendja e borxhit.

Megjithatë ky nuk është medoemos skenari për kompani si ajo e ndriçimit, Bright, një nga firmat më të suksesshme të Greqisë. Ajo eksporton produkte në 35 vende të ndryshme, por 30 për qind e komponentëve të nevojshëm për llampat që prodhon importohen.

Për menaxherët e kompanisë ideja e rigjallërimit të konkurencës i ngjan një miti. Çdo fushë e jetës në Greqi mund të përballet me shkurtime të mëdha, të paktën fillimisht.

Greqia për shembull bazohet tek ilaçet e importuara për furnizmin e farmacive dhe spitaleve. Sektori i vetëm që mund të dalë i fituar është ai turizmit, që është industria e më e madhe e vendit. Një dhrahmi me vlerë të ulët mund të sjellë vizitorë të shumtë në Greqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)