17 Maj 2024

Greqia kërkon kushte lehtësuese

Athinë, 21 qershor - Në Greqi, tre parti politike, Demokracia e Re, e Majta Demokratike dhe PASOK, ranë dakord për formimin e një qeverie koalicioni dhe kryetari i Demokracisë së Re, Antonis Samaras bëri betimin si kryeministër.

Ndërkohë, nga Athina po dëgjohen thirrje në rritje për të rinegociuar kushtet e paketës financiare të imponuar nga Bashkimi Evropian. Për disa analistë, kushtet e ndihmës ndërkombëtare janë të papërballueshme për këtë vend të mbytur në borxhe.

Debatet janë zhvendosur tani tek hapat e nevojshëm për të stabilizuar ekonominë.

Deputetja Olga Kefalogianni thotë se mes palëve ekziston konsensusi se kushtet e paketës së shpëtimit prej 168 miliard dollarësh mund të kenë qenë tepër të ashpra.

"Partnerët tanë duhet ta kuptojnë se ata duhet të na japin njëfarë hapësire ​​për frymëmarrje. Reformat janë të nevojshme, por ne nuk mund të punojmë me një paketë kaq të ashpër, e cila në fakt po na mban në rrethin vicioz të recesionit".

Greqia është tani në vitin e pestë të recesionit – gjendje për të cilën disa thonë se i ngjan një depresioni të plotë.

Ekonomisti Yanis Varoufakis thotë se është e qartë se masat e kursimit të kërkuara nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian në këmbim të dy paketave të shpëtimit, më tepër e kanë penguar, se sa ndihmuar ekonominë greke.

"Kushtet e paketës së shpëtimit janë tejkaluar tashmë nga realiteti ekonomik, kështu që, çdo parashikim apo hipotezë mbi të cilat ato janë formuluar, tashmë nuk ka më vlerë."

Pavarësisht nga paketat e shtrenjta financiare për katër vende të eurozonës, kostot e huamarrjes janë rritur në nivele të papërballueshme në vendet me borxhe të mëdha si Italia dhe Spanja.

Zoti Varoufakis thotë se, pa masa të përbashkëta për zgjidhjen e krizës së borxhit, një dalje e Greqisë nga eurozona mund të ishte vetëm fillimi.

"Nëse nuk bëjmë këto gjëra, atëhere nuk mund të flitet më për eurozonë".

Privatisht, disa zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Një zyrtar madje është shprehur në Tweeter se do të ishte “marrëzi” nëse vihen në zbatim kushtet e tanishme të paketës së shpëtimit.
 
Por menaxheri i investimeve Justin Urquhart Stewart thotë se qeveria e re e Greqisë do të ketë hapësirë ​​të kufizuar për të negociuar.

"Qeverisë greke i duhet të tregojë se ajo po përpiqet të rinegociojë kushtet e paketës. Por ajo ka një hapësirë të kufizuar për ta bërë këtë. A do të mund të ndryshojë ajo elementët bazë të kësaj pakete? Përgjigja është jo."

Shumë do të varet nga Gjermania. Ekonomia më e madhe e bllokut ka hapur tashmë mundësinë e zgjatjes së afatit për disa pagesa, por në prag të takimit të nivelit të lartë të G-20s në Meksikë, kancelarja Angela Merkel përsëriti besimin e saj se kushtet themelore të marrëveshjes – një ulje drastike e raportit mes borxhit dhe GDP-së së Greqisë, janë të panegociueshme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)