Gjermania zotohet të ndaj 28,3 milionë euro për Kosovën
Delegacioni i Republikës së Kosovës, është kryesuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza , ndërsa ai i Gjermanisë është kryesuar nga shefi i Divizionit për Bashkëpunim me Evropën Juglindore dhe Kaukazin në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Leo Kreuz, i shoqëruar edhe nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Matthias Kiesler.
Pas negociatave të suksesshme, ministri i Financave Bedri Hamza dhe shefi i Divizionit për Bashkëpunim me Evropën Juglindore dhe Kaukazin në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Leo Kreuz, kanë nënshkruar protokollin e këtyre negociatave për bashkëpunim zhvillimor.
Ministri Bedri Hamza tha se Gjermania dhe populli gjerman në vazhdimësi kanë kontribuar për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Kam parasysh këtu në rend të parë mbështetjen e vitit 1999 e cila i hapi perspektivë zhvillimit të mëtejmë të Kosovës si një vend i lirë dhe gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme politike, diplomatike dhe të zhvillimit ekonomik të vendit."
Gjermania është kontribuuesi dhe donatori më i madh i Kosovës. Prej vitit 1999 deri më tani ju keni kontribuar në zhvillimin e Kosovës në shumën prej 400 milionë të cilat janë dhënë dhe zotuar si donacione dhe financime për projekte në fusha të ndryshme. Sot pritet që të vazhdoj bashkëpunimi ynë me një shumë prej 28.3 (21.3 grand dhe 7 kredi) dhe 3.5 milionë nga Instrumenti i Para Anëtarësimit në projektet e bashkëpunimit financiar dhe në ato të bashkëpunimit teknik, tha ministri Hamza .
Ai më tej shtoi Si në Kornizën Afat-Mesme të Shpenzimeve, gjithashtu edhe në strategji tjera, prioritet i Qeverisë së Kosovës është ruajtja e qëndrueshmërisë makrofiskale dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, në anën tjetër përfaqësuesi i delegacionit gjerman Leo Kreuz, falënderoi ministrin Hamza për mikpritjen dhe bashkëpunimin nga institucionet e Kosovës, e në veçanti Ministrinë e Financave.
Me këtë rast ai shprehu përkushtimin dhe zotimin e qeverisë gjermane për vazhdimin, bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008 këto bisedime bilaterale u mbajtën tanimë për të pestën herë me radhë Gjermania si donatori i dytë më i madh, pas SHBA-ve, do të mbështes Kosovën edhe më tej për t'i implementuar reformat e nevojshme në kuadër të procesit të afrimit të Kosovës me BE- në.
Për këtë qëllim sipas njoftimi të ambasades gjermane, gjatë këtyre konsultimeve janë zotuar mjete në vlerë prej 28,3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve në pikërëndesat përkatëse për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe arsimit themelor.
Me qëllim të afrimit me standardet e BE-së është inicuar në mënyrë të përbashkët edhe menaxhimi i ujërave të zeza. Pastrimi i ujërave të zeza nuk është bërë deri tani në Kosovë.
"Në kuadër të një projekti në fushën e energjetikës financohet modernizimi i mëtejmë i rrjetit të transmisionit të energjisë për popullatën dhe mbështetet integrimi sistemit në tregun rajonal të energjisë", thuhet në njoftimin e ambasades.
Poshtu edhe Fondi për Sigurimin e Depozitave, i cili është themeluar brenda bashkëpunimit kosovaro-gjerman do të rritet për depozitat e vogla.
Planet e tjera të rëndësishme kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në zonat rurale, nxitjen e arsimit profesional, si dhe arsimit themelor.
Si projekt i ri është inicuar themelimi i një qendreje të takimit për të rinjtë në Mitrovicë, e cila do t'i mundësojë të rinjve nga të dy anët e lumit Ibër takime dhe shkëmbime me njëri-tjetrin.
Konsultimet ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim politik zhvillimor mbahen një herë në vit.