27 Prill 2024

Gjermania zotohet për ndarjen e 27 milionë euro për Kosovën

Prishtinë, 12 mars - Pas mbajtjes së konsultimeve për bashkëpunimin zhvillimor në mes të Kosovës dhe Gjermanisë u bë e ditur se Qeveria gjermane është zotuar për ndarjen edhe të 27 milionë eurove të tjera për Kosovën në fushat e energjetikës, ujërave, ekonomisë dhe arsimit.
 
“Gjatë konsultimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim ekonomik zhvillimor, të cilat u mbajtën më 12 mars 2012 në Prishtinë, Qeveria gjermane është zotuar për një mbështetje të mëtutjeshme të vendit më të ri në Evropë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për afrimin e tij me BE-në”, thuhet në një njoftim të ambasadës gjermane në Prishtinë.

Sipas njoftimit, të dy delegacionet u pajtuan për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe nxitjes së punësimit, arsimit, si dhe energjisë e infrastrukturës së ujërave. Për këtë bashkëpunim, qeveria gjermane planifikon – me kusht të miratimit përfundimtar të institucioneve relevante qeveritare gjermane – të vë në dispozicion 27.7 milionë euro të tjera për vitin 2012.

Në sektorin e energjisë Gjermania planifikon të mbështes sërish Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit të energjisë, ashtu që popullsia të mund të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kontribuojë njëkohësisht në integrimin e tregut kosovar në atë evropian.

Mjetet financiare, të cilat ishin zotuar që në vitin 2010 për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave do të rriten. “Nëpërmjet kësaj jepet një kontribut i qenësishëm në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së qytetarëve kosovarë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Gjermania, pas SHBA-ve, është donatori i dytë më i madh bilateral për Kosovën. Që nga fillimi i bashkëpunimit, në vitin 1999, Qeveria gjermane është angazhuar me sukses me afërsisht 400 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. /Telegrafi/
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)