03 Maj 2024

Gjermania ndan 21.5 milionë euro për Kosovën

Prishtinë, 30 shtator - Në Ministrinë e Financave sot përfunduan negociatat për bashkëpunimin zhvillimor në të ardhmen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim të nxitjes së mëtejshme të zhvillimit ekonomik dhe social të Republikës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, të cilat filluan më 29 shtator 2011.

Pas përfundimit të negociatave , të dyja palët nënshkruan procesverbalin përmbledhës.

Delegacioni i Republikës së Kosovës është kryesuar nga zëvendësministri i Financave,  Ramadan Avdiu dhe delegacioni i Republikës Federale të Gjermanisë është kryesuar nga shefi i Divizionit për Evropën Juglindore dhe Kaukazin në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dr. Leo Kreuz, ndërsa negociatat u hapën nga ambasadori gjerman në Republikën e Kosovës, Dr. Ernst Reichel.

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë ka për qëllim ta rrisë këtë shumë dhe t’i ofrojë Qeverisë së Republikës së Kosovës një shumë të re prej 21.5 milionë euro për bashkëpunimin dypalësh teknik dhe financiar gjatë vitit 2011.

Këto fonde do të përdoren në vitin 2011 dhe vitet pasuese. Shuma përbëhet nga 13.5 milionë euro për projekte të bashkëpunimit financiar dhe 8 milionë euro për projekte të bashkëpunimit teknik.

Zëvendësministrit i Ministrise se Financave Ramadan Avdiu me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me Qeverinë Gjermane  ka deklaruar se Marrëveshja e parë ka të bëjë me bashkëpunim dhe përkrahje në aspektin zhvillimor dhe financiar për vitin 2011 e tutje, në shumë prej 21.5 milionë euro ndërsa marrëveshja e dytë ka të bëjë me ofrimin e grantit nga qeveria gjermane për Fondin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë, në shumë prej € 5 milionë.

Edhe marrëveshjet e arritura sot për nxitjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik e social të Republikës së Kosovës si dhe avancimin e agjendës sonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian  sipas tij janë vazhdimësi e relacioneve miqësore dhe bashkëpunimit afatgjatë në mes të dy shteteve tona.

“Si udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës më lejoni të ju njoftoj se bëhet fjalë për mbështetjen financiare e teknike të  projekteve në  katër sektorë prioritar të identifikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014, përkatësisht infrastrukturës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, sforcimit të sektorit financiar, arsimit si dhe reformës së administratës publike.”


Fondet e zotuara (21.5 milionë euro) kanë për qëllim, ndër të tjera, përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të energjisë (5 milionë euro kredi të IDA-së, si dhe kredi të përbërë nga fonde tregtare të KfW-së në shumë prej 8.5 milionë euro); për ngritjen e një qendre të edukimit profesional për kompetencë në fushën e ekonomisë së gjelbër dhe teknologjive të ndërlidhura me ndërtimtari ( 1.5 milionë euro); për modernizimin e sistemit ligjor të trajnimit dhe ngritjen e kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese (3.3 milionë euro); dhe për fuqizimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve të tjera relevante në fushën e financave publike (2.7 milionë euro).

Objektivi kryesor i bashkëpunimit është përafrimi i mëtejshëm i Kosovës me BE-në. Sa i përket shpërndarjes së fondeve, pjesa më e madhe- pra, 13.5 milionë euro (5 milionë euro kredi e IDA-së, kredi prej 8.5 milionë euro të përbërë nga fondet tregtare të KfW-së)- do t’i ndahen sektorit të energjisë, ndërsa 6 milionë euro do të përdoren për fuqizimin e demokracisë, shoqërisë civile dhe administratës publike.

Të dy delegacionet përshëndetën bashkë-financimin e projekteve infrastrukturore përmes fondeve të ofruara nga Qeveria e Republikës Federale dhe KfW-ja në njërën anë (përmes bashkëpunimit bilateral financiar) dhe nga Komisioni Evropian, në anën tjetër (bashkëpunimi i deleguar në kuadër të IPA-së), dhe duke i kombinuar ato me resurset nga buxheti nacional i Republikës së Kosovës. Vazhdimi i këtij bashkëpunimi trepalësh është parë si i arsyeshëm nga të dyja delegacionet.  

Negociatat u zhvilluan në një atmosferë të hapur të bashkëpunimit konstruktiv. Delegacionet arritën pajtueshmëri për alokimin e fondeve në dispozicion dhe diskutuan bashkëpunimin në vijim dhe atë në të ardhmen në katër sektorët me prioritet që korrespondojnë me qëllimet nacionale të zhvillimit dhe agjendën e Qeverisë së Kosovës për integrim në BE, siç pasqyrohet dhe përkthehet në propozimet specifike për veprim në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014.  

Të dyja delegacionet më tutje konfirmuan këto qëllime afatgjata të bashkëpunimit zhvillimor kosovaro- gjerman: promovimin e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut, zhvillimin e infrastrukturës, arsimin, decentralizimin, mbrojtjen e të drejtave të pakicave, dhe në fund, përafrimin me BE-në përmes standardeve të përmirësuara.

Delegacioni gjerman theksoi nevojën urgjente për reforma në këto fusha, e veçanërisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimit të financave publike në mënyrë transparente. Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë në këto procese, kur një gjë e tillë kërkohet dhe është e nevojshme.

Kryesuesi i delegacionit gjerman shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane për Republikën e Kosovës, siç është demonstruar me vizitën e ministrit federal gjerman për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, Dirk Niebel, në muajin maj të këtij viti.

Në përputhje me mesazhin e ministrit Niebel se Kosova do të jeta ajo që do ta përcaktojë ritmin e reformave dhe progresit, shefi i delegacionit theksoi rëndësinë e të paturit të një orientimi të qartë për zhvillim dhe për të nxitur transparencën dhe përgjegjësinë e qeverisë, e veçanërisht në lidhje me menaxhimin e buxhetit të vendit, fuqizimin e luftës kundër korrupsionit dhe krijimin e kushteve kornizë të favorshme për investimet e sektorit privat.

Delegacioni gjerman ripërsëriti se Republika Federale e Gjermanisë është e gatshme për të ndihmuar nxitjen e këtyre proceseve drejt zhvillimit ekonomik dhe reduktimit të varfërisë në Kosovë, sidomos në kohën e krizës ekonomike dhe financiare.

Ndryshe që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 1999 vëllimi i përgjithshëm i bashkëpunimit dypalësh teknik dhe financiar arrin shumën prej 370 milionë euro, duke e bërë kështu Gjermaninë donatorin më të madh evropian në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)