17 Maj 2024

Gërxhaliu: Vendimi ka dëmtuar tregtinë ndërmjet dy vendeve

Prishtinë, 25 qershor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, i cili njëherësh është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar Antikorrupsion (KKAK) i krijuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kritikuar ministren Kusari-Lila, se po dëmton imazhin e ekonomisë së Kosovës. 

Gërxhaliu ka premtuar se nëse këmbëngulësia e ministres Kusari-Lila do të vazhdojë, këtë problem do ta ngrehë në KKAK, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha institucionet relevante shtetërore.

Ai i ka thënë për “Epokën e re” se me vendimin e MTI-së shihet qartë se ka afera enorme korruptive, afera enorme të krimit të organizuar dhe kontrabandës e përfitime personale nga njerëz të caktuar.

“Gabimet që i ka bërë ministrja Kusari-Lila nuk i bën një amator, e mos të flasim për një ministre që e udhëheq një ministri shumë të rëndësishme. Është koha të merret prokuroria me këtë rast. Nëse prokuroria dhe drejtësia e Kosovës nuk merren me këtë rast, atëherë është mirë të shpallet dita e ‘varrosjes së drejtësisë’ në vend”, ka deklaruar ai.

Gërxhaliu ka vlerësuar se vendimi i Mimozës (siç e quan ai ministren Kusari-Lila) jo që ka dëmtuar tregtinë ndërmjet dy vendeve, por e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës, qoftë tek investitorët, por edhe më gjerë.

“Ky është një kriminalitet i organizuar nga njerëz të caktuar. Gjithsesi duhet të hetohet kompania ‘Sharrcem’, pasi tradita e saj e importimit të çimentos, si lëndë të parë, ka filluar më herët. Është koha të ndalet kjo dukuri negative për Kosovën dhe biznesin”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ta kthejë prapa vendimin e ministres Kusari-Lila, pasi kjo, sipas tij, është në të mirë të Kosovës, të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë relevantë në vend.

“Duhet urgjencë e madhe sepse nuk ka kurrfarë baze ligjore që ai vendim të mbetet në fuqi dhe të bëjë që Kosova dhe Shqipëria ta kenë këtë problem, i cili nuk është dashur fare të ndodhte”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka shtuar se nuk ia vlen që tash e tutje Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) të quhet si e tillë, sepse nuk përkon me atë që Amerika ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj. Por, sipas tij, kësaj ode duhet hequr nocioni “Amerikane” dhe të zëvendësohet me nocionin “Sharrcem”. 

“Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës nuk duhet të quhet Amerikane, por oda e ‘Sharrcemit’”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) më 11 qershor 2012 pati marrë vendim për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35-përqindësh.

 Ky vendim është i përkohshëm, në afat prej 90 ditësh, por nëse shihet e nevojshme mund të shtohen edhe 30 ditë të tjera, pra 120 ditë. Vendimi, sipas MTI-së, ka për qëllim mbrojtjen e tregut vendor derisa të zhvillohen hetimet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)