29 Prill 2024

Gërxhaliu: Pranimi i vulave është një realitet i ri

Prishtinë, 5 shtator - Pranimi i vulave doganore të Kosovës nga Serbia ka krijuar një rrethanë të re për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve dhe më gjerë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se është krijuar një realitet i ri, me ç’rast Kosova fuqizohet edhe më shumë në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Është krijuar një realitet i ri. Kosova fuqizohet edhe në aspektin ekonomik. Pra, krahas fuqizimit politik, edhe në atë ekonomik. Besoj se çdo marrëveshje në këtë drejtim është një hap i mirëseardhur sepse jemi në proces të integrimeve dhe dialogimi e partneriteti janë çelësat kryesorë”, ka thënë Gërxhaliu.

Kryetari Gërxhaliu ka vlerësuar se një muaj vakum i mospranimit të produkteve serbe në Kosovë, një muaj hulumtim i tregjeve të reja dhe i partneritetit të ri e ka mundësuar që këto produkte të zëvendësohen dhe tani e tutje do ta kemi një situatë të re.

“Po ashtu vlen të theksohet se nuk mund të krahasohet periudha e vitit 1999-2000 me periudhën e vitit 2011-2012. Është koha kur Kosova dallon me atë periudhë, sepse në vitet ’90 dhe 2000 çdo gjë ka qenë e nevojshme, pasi ka qenë e shkatërruar”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket humbjes apo fitimit të bizneseve, Gërxhaliu është shprehur se vetë fakti se sektori prodhues në Kosovë e ka shijuar një eufori të zhvillimit, është një hap pozitiv.

“Në fund të fundit importi dhe blerja e mallrave nga jashtë kanë qenë karakteristika të ekonomisë së Kosovës me vite të tëra, prandaj në këtë drejtim nuk mund të humbim, por ka fituar Kosova, sepse është hap si treg i ri dhe kanë depërtuar produktet e reja. Është futur një kualitet dhe është vetëdijesuar konsumatori. E tërë kjo e bën të vështirë praninë e produkteve serbe në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij duhet harruar se Serbia është në gjendje të vrasë, të djegë dhe të shkatërrojë edhe më tutje vetëm për ta siguruar tregun e Kosovës.

Raundi i gjashtë i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka rezultuar me arritjen e marrëveshjeve për vulat doganore dhe kadastrat. “Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave palët ranë dakord që vulat doganore të shënuara Doganat e Kosovës të pranohen. Kjo marrëveshje do të konfirmohet për të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Zyra e ndërmjetësit të BE-së në dialogun Kosovë - Serbi, Robert Cooper.

Serbia të kërkojë falje

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka deklaruar se përderisa Serbia, prodhuesit e saj dhe përfaqësuesit e atyre prodhuesve në Kosovë nuk mbledhin mend dhe nuk i kërkojnë falje Kosovës, atëherë konsumatorët do t’i bojkotojnë prapë produktet e saj.

“Ia kujtojmë Serbisë se ajo duhet pushuar së mbajturi peng ‘Trepçë’-n dhe procesin e privatizimit, kodin telefonik, fondin pensional-invalidor-social. Serbia duhet pushuar së mbajturi peng pronat tona në të cilat kanë investuar edhe konsumatorët”, ka thënë ai.

(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)