29 Prill 2024

Gërxhaliu: Me reciprocitet forcohet ekonomia e Kosovës

Prishtinë, 9 gusht - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë do të ndikojë pozitivisht te prodhuesi vendor dhe do të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Gërxhaliu ka thënë se me aplikimin e këtyre masave konsumatori i Kosovës ka dalë fitues. “Ka fituar konsumatori i Kosovës dhe ka humbur Serbia. Deri më tani qytetarët tanë janë ushqyer me produkte të pasigurta serbe, të cilat janë prodhuar në reparte ose fabrika që enkas kanë qenë të dedikuara për Kosovë”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se qysh nga vendosja e parimit të reciprocitetit kompanitë vendore kanë arritur që për gjashtë ditë t’i zëvendësojnë produktet të cilat i kanë importuar nga Serbia. “Rruga më e gjatë e një procesi për zëvendësimin e një produkti serb ka qenë vetëm gjashtë ditë”, ka deklaruar Gërxhaliu, duke u bërë thirrje kompanive serbe të bëjnë presion te Qeveria e Serbisë që ta pranojë realitetin politik në Kosovë.
Gjithashtu, Gërxhaliu ka thënë se vendosja e këtyre masave do të ndikojë edhe në tërheqjen e investitorëve të jashtëm.

“Deri më tani investitorët e huaj kanë investuar në Serbi dhe kanë fituar edhe në Kosovë. Me vendosjen e masave të reciprocitetit do të sigurohen raporte të reja, të cilat do të japin hapësirë dhe do të sjellin guxim tek investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë”, është shprehur Gërxhaliu.

Sipas tij Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) edhe para vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë ka qenë zë i vërtetë i biznesit në Kosovë.

Gërxhaliu ka theksuar se ky vendim mund të implementohet vetëm nëse përfaqësuesit institucioneve të Republikës së Kosovës sakrifikojnë interesin personal e material në të mirë të ardhmërisë së Kosovës dhe zhvillimit ekonomik dhe social. Edhe kompanitë serbe duhet të bëjnë më shumë presion mbi Qeverinë e Serbisë që ta pranojë realitetin e ri ekonomik, politik në Kosovë dhe ta pranojë dhe ta respektojë parimin e reciprocitetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)