29 Prill 2024

FMN: borxhi publik i Shqipërisë do të rritet në 63.6 për qind

Tiranë, 29 shtator - Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që borxhi publik i Shqipërisë do të rritet në 63.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2016, duke kaluar kështu përtej kufirit prej 60 për qind, që konsiderohet si kufiri përtej të cilit stoku i borxhit përbën rrezik për stabilitetin financiar të vendit.

Ndryshe nga Fondi, qeveria shqiptare beson se borxhi publik do të mbetet poshtë nivelit prej 60 për qind, pavarësisht se Shqipëria ka nënshkruar kontrata të reja kredish dhe ka ndërmarrë një projekt tjetër shumë të kushtueshëm infrastrukturor.

FMN –ja e publikoi parashikimin e vet në raportin ekonomik botëror, në të cilin parashikohet gjithashtu që ekonomia shqiptare do të njohë një rritje të ngadaltë gjatë viteve të ardhshme, bazuar kjo në akumulimin e dobët të kapitalit privat si pasojë e pakësimit të burimeve të financimit të investimeve, si remitancat apo investimet e huaja të drejtpërdrejta.

Qeveria parashikon në fakt, një rënie të ngadaltë të stokut të borxhit në raport me PBB-në gjatë tre viteve të ardhshme, ndërkohë që FMN-ja duket se nuk ka shumë besim te angazhimet e qeverisë dhe parashikon një rritje të ngadaltë të borxhit.

Për vitin 2011, qeveria ka parashikuar që borxhi publik do të rritet nga 58.2 për qind e PBB-së që ishte në vitin 2010, në 59.1 për qind në fund të këtij viti. Por FMN-ja parashikon nga ana e vet se në dhjetor, borxhi publik do të rritet në 59.4 për qind të PBB-së. Diferenca në parashikim qëndron edhe për vitin e ardhshëm.

Në vendimin e qeverisë për programin buxhetor afatmesëm 2012-2014 të miratuar në korrik të këtij viti, qeveria thotë se një nga objektivat e saj është “mbajtja e borxhit publik poshtë nivelit 60% si dhe ulja graduale e tij (në përputhje me rekomandimet e KE-së për përmbushjen e kritereve ekonomike të Kopenhagës dhe në linje me kriteret e Mastriktit)”.

 Sipas Ministrisë së Financave, stoku i borxhit publik në vitin 2012 do të jetë 815 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 57.1 për qind e PBB-së.

Por ky objektiv, si zakonisht, rrezikon të mbetet vetëm një objektiv i parealizuar. Llogaritë e FMN-së tregojnë që në fakt borxhi do të rritet.

Niveli i borxhit publik i barabartë me 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto konsiderohet në të gjithë botën si një limit përtej të cilit është e rrezikshme të shkohet. Përtej këtij niveli, barra e interesave të borxhit bëhet aq e lartë sa qeveritë e kanë të vështirë që t’i shlyejnë, për shkak të kostos së lartë politike që sjellin shkurtimet.

Historia e shumë vendeve të botës tregon se pasi borxhet arrijnë mbi 60 për qind, ato vijojnë të rriten më tej duke reduktuar potencialin e rritjes ekonomike të vendit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)