05 Mars 2024

Fillon mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

Prishtinë, 11 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati mbajtën sot takim me përfaqësues të organizatave jo qeveritare, ku ndër të tjera u nënshkruan edhe marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 - Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve.

Në këtë takim, kryeministri Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë në krijimin e një ambienti ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe të gjithë kanë mundësi të barabarta në punësim dhe jo vetëm. Ndër të tjera, Kryeministri Kurti tregoi që kjo masë përveç që synon nxënien e shkathtësive të personave me aftësi të kufizuara garanton edhe punësimin e qëndrueshëm të tyre.  

“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.  Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim."

"E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, u shpreh kryeministri Kurti.  

Ministri Murati tha se ndonëse masat e pakos kanë qëllim të krijojnë prosperitet për të gjithë, ato shpeshherë janë edhe të targetuara.

Ai gjithashtu theksoi se masa 1.6 ka një mekanizëm të veçantë zbatimi ku organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshmërisë së masës.

Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe përfaqësuesit nga organizatat jo-qeveritare u pajtuan që kjo masë të trajtohet si një pilotim në mënyrë që të nxirren mësimet e nevojshme me synimin që të kthehet në një masë afatgjatë.  

Në fund të takimit, përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare shprehën vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në realizimin dhe monitorimin e masës.

Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare që shënon përpjekjet globale për krijimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara nuk ndihen të përjashtuar, por pjesëmarrës dhe të barabartë, Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)