03 Maj 2024

Ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes

Prishtinë, 25 prill - Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë janë rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme, thuhet në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Siç thuhet në raportin e Bankës Botërore, perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që pritet të ngadalësohet në 2,6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vende, nga investimet publike.

Rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të rezervave për t'u përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme dhe realizimit të reformave në anën e ofertës që vendosin themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër, thuhet në raport.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike”, ka thënë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Raporti bën të ditur se në Kosovë, në vitin 2022 u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3,5 përqind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat, i cili vazhdoj të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste. Përgjatë vitit 2023, rritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3,7 për qind, por rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve aktuale.

“Në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t'iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik”, ka thënë Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Paolucci ka shtuar se “Banka Botërore në anën tjetër do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ta bërë ekonominë e saj më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe për t'u ofruar qytetarëve të saj më shumë mundësi për një jetë më të mirë”.

Tutje në raport thuhet se inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023, por në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa tani po shfaq shenja të uljes.

Sipas ekonomistëve, kjo rritje e çmimeve ka prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë. Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)