Draghi: Eurozona nuk është në rrezik
Frankfurt, 22 korrik - Eurozona nuk është në rrezik të shpërbëhet pavarësisht skenarëve apokaliptikë të hedhur nga disa analistë, deklaroi Mario Draghi, presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, duke gjykuar se ky bllok po ecën në mënyrë të pashmangshme drejt unionit më të ngushtë të anëtarëve të vet.
I pyetur në një intervistë me gazetën franceze Le Monde nëse euro qe në rrezik, Draghi tha: Jo, absolutisht jo. Ne shohim thjeshtë analistë që imagjinojnë skenare me shpërthime. Ata nuk e kuptopjnë dot se sa i madh është kapitali politik që udhëheqësit tanë kanë investuar në union si dhe mbështetjen nga europianët. Euro është e pakthyeshme.
Draghi shtoi se në terma afatgjatë, euro ka nevojë të vendoset në themelet e integrimit më të gjerë mes vendeve anëtare.
Të gjitha lëvizjet drejt bashkimit financiar, buxhetor dhe politik janë për mua të pashmangshme dhe do të sjellin krijimin e institucioneve të reja mbikombëtare, tha ai.
Udhëheqësit europianë hodhën një hap tjetër drejt integrimit muajin e kaluar në Bruksel kur u ra dakord për të vënë Bankën Qëndrore Europiane në detyrën e mbikëqyrësit të bankave si dhe i dhanë fondit të vet të shpëtimit EMS të drejtën për të financuar bankat në vështirësi.
Gjithsesi, samiti nuk i bindi mjaftueshëm investitorët. Shqetësimet mbi fatin e Spanjës janë rikthyer në qendër të vëmendjes dhe interesat e bondeve 10 vjeçare janë aktualisht në kuotën 7 për qind.
Bursat në Europë dhe SHBA shënuan humbje gjatë javës së fundit dhe euro shënoi rekorde negative kundër monedhave të Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së re.