14 Maj 2024

Dogana planifikon t’i mbledhë 867 milionë euro në 2012

Prishtinë, 25 janar - Edhe në vitin 2012 Dogana e Kosovës do ta bartë barrën kryesore sa i përket mbushjes së arkës së shtetit.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, ka bërë me dije për “Epokën e re” se vetëm gjatë këtij viti ky institucion ka paraparë të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës 867 milionë euro.

“Gjatë këtij viti buxhetor Dogana e Kosovës ka planifikuar të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës me 867 milionë euro apo 37 milionë më shumë sesa në vitin 2011. Ndërkaq, nëse e llogaritet në përqindje, do të kemi një ngritje prej 5-përqindësh në krahasim me vitin e kaluar. Prapë Dogana do të vazhdojë të jetë institucioni, i cili do të krijojë më së shumti të hyra në buxhetin e shtetit.

Pas Doganës renditet Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila pritet t’i inkasojë 288 milionë euro”, ka deklaruar Huruglica.
Në këtë kontekst, Huruglica ka shprehur optimizëm se Dogana e Kosovës do t’i përmbushë objektivat e parapara për këtë vit.

“Duke parë trendin pozitiv nga viti i kaluar, jemi optimistë se do të t’i përmbushim obligimet tona në mbushjen e arkës së shtetit”, ka thënë Huruglica. Gjithashtu, Huruglica ka bërë me dije se vetëm nga rritja e akcizës në cigare Buxheti i Kosovës do t’i përfitojë rreth 7 milionë euro në vit.

“Nga një janari i këtij viti akciza për duhan është ngritur për dy euro për kilogram. Vetëm nga rritja e akcizës në cigare të hyrat në dogana do të rriten për 7 milionë euro”, është shprehur Huruglica.

Sipas Huruglicës, importuesit kryesorë në Republikën e Kosovës edhe në këtë vit do të vazhdojnë të mbeten shtetet e Bashkimit Evropian (BE).

“Importuesi kryesor në Republikën e Kosovës do të vazhdojë të mbetet Bashkimi Evropian (BE) prej nga në vendin tonë do të eksportohen 40 për qind të mallrave. Edhe nga vendet e CEFTA-s do të importojmë 39 për qind. Ndërkaq me Turqinë, Kinën dhe disa shtete të tjera do të importojmë 20 për qind të mallrave”, ka thënë Huruglica.

Ai ka shtuar se falë angazhimit të Doganës dhe institucioneve të tjera të Kosovës është arritur të ndalen kontrabanda dhe informaliteti në pikat doganore. “Dogana e Kosovës ka arritur të barazohet 100 për qind me eksportet evropiane në Kosovë. Kjo tregon se Kosova nuk ka kontrabandë ose lëshime të dyfishta të faturave. Pra, informaliteti është zvogëluar dukshëm”, ka deklaruar Huruglica.

Më tutje, Huruglica ka bërë me dije se, krahas të hyrave, Dogana e Kosovës është duke bërë edhe mbrojtjen e konsumatorit dhe ekonominë vendore. “Krahas mbledhjes së të hyrave, Dogana e Kosovës është duke e luajtur edhe rolin mbrojtës, duke i mbyllur rrugët ilegale. Kohët e fundit kemi ndalur shumë mallra, të cilat e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Mbrojtja e konsumatorit, ekonomisë dhe luftimi i informalitetit janë duke shkuar paralel me të hyrat doganore”, është shprehur Huruglica.

Sipas tij, edhe Dogana në veri të Kosovës është funksionale. “Doganat në veri të Kosovës janë funksionale. Doganierët janë atje 24 orë në ditë. Por, nuk ka qarkullim për shkak të barrikadave që po vazhdojnë të mbeten në rrugë”, ka thënë Huruglica.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)