05 Maj 2024

Dogana dhe ATK për tre muaj mbledhin 212 milionë euro

Prishtinë, 15 prill - Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës  gjatë tre muajve të parë  të këtij viti kanë pasur ecuri të mira si në grumbullimin të hyrave, po ashtu edhe në përmbushjen e objektivave të tjerë të përcaktuar.

Kjo është bërë e ditur nga Naim Huruglica, drejtor i Doganës së Kosovës dhe Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, të premten, në  konferencën e shtypit, të mbajtur në Ministrinë e Financave .

“Gjatë tre muajve të parë të këtij viti Dogana e Kosovës ka pasur mbi 150 milionë euro të hyra, krahasuar me 121,5 milionë euro sa ishin vjet në të njëjtën periudhë. Kjo paraqet rritje   24 për qind, ndërsa janë mbledhur mbi 19 për qind të hyrave të parapara për këtë vit”, ka thënë drejtor i Doganës së Kosovës Naim Huruglica.

Po ashtu ai ka shtuar se  gjatë kësaj periudhe kanë  ushtruar 335 kundërvajtje doganore, prej të cilave 45 kanë qenë për mallra të ndaluara. Pjesa më e madhe, apo 308 kundërvajtje  u bënë për mallra komerciale dhe për këtë  janë konfiskuar mallra në vlerë prej 192.795 eurosh, kurse janë shqiptuar gjoba prej 381.172 eurosh.

Ndër objektivat kryesor për këtë vit, Huruglica ka përmendur  mbledhjen e të hyrave në shumën prej 831 milionë euro, sa është plani, promovimi dhe bashkëpunimi me komunitetin biznesit, zhvillimin kapaciteteve të brendshme,  kthimi i kontrollit në dy vendkalimet kufitare në  pjesën veriore të Kosovës dhe shfrytëzimin e fuqive ligjore dhe zhvillimin kapaciteteve për zbatimin ligjit për parandalimin e kontrabandës.

“Meqenëse është bërë mjaft aktuale çështja e barnave, Dogana e Kosovës është mjaft aktive në  parandalimin e kontrabandimit të tyre nga pjesa veriore e vendit.  Sipas vlerësimeve  kontrabanda e barërave nga  252.486 euro sa ka qenë në javën e katërt të vitit, kah fundi i marsit ka rënë në  78 mijë euro”, ka shtuar drejtori i Doganës të Kosovës.

Huruglica ka thënë se duke krahasuar numrin e  kamionëve me mall që evidenton EULEX-i në dy vendkalimet në veri, me  numrin e atyre që hyjnë në terminalin doganore,  del se kontrabandohet malli që bartin 20-25 për qind prej tyre.

Ndërkaq, Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës,  fillimisht ka përmendur se gjatë këtij tremujori ATK ka bërë hapa të konsiderueshëm për të përmirësuar dhe ngritur kapacitetet dhe shërbimet ndaj publikut e tatimpaguesve në përgjithësi, në mënyrë që tatimpaguesit ta kenë më të lehtë përmbushjen vullnetare dhe që secili të trajtohet në mënyrë të njëtrajtshme, transparente dhe efektive.

Haliti përmendi bashkëpunimet me përfaqësuesit e bizneseve, fillimin e punës së njësisë për hetime, lancimin e formularëve të rinj tatimorë të cilën shpejton procesin dhe eliminojnë gabimet si dhe adaptimin e procedurave për alokimin e numrave fiskal me ç’rast tatimpaguesit tani kanë mundësi të pajisen me NRF ditën e aplikimit.

“Gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë arkëtuar të hyra prej 62,6 milionë euro, apo 23,99 për qind nga plani vjetor.  Kjo paraqet edhe rritje të dukshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin arkëtuar 47,4 milionë euro si dhe krahas kësaj ATK-ja ka grumbulluar edhe 13 milionë euro në emër të kontributeve pensionale”,  shtoi ndër të tjerat  Behxhet Haliti .

Haliti, gjithashtu ka përmendur se gjatë kësaj periudhe janë bërë 148 kontrolle dhe vlerësime të përfunduara, efekti i të cilave ishte mbi 6 milionë euro, ka pasur 13.670 vizita përmbushëse dhe 1.148  vizita në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.  

Në mënyrë të detyrueshme janë inkasuar 5,5 milionë euro, janë bërë 411 regjistrime në Zyrën e pengut në një vlerë mbi 18 milionë eurosh, janë dhënë 3.468 urdhra për vjelje  në thesar afër 170 milionë eurosh, prej të cilave janë realizuar 120.431 euro, kurse borxhet e  pasivizuara janë 53 milion euro. ATK-ja në total ka pranuar 56 kërkesa për rimbursim të tatimeve, prej të cilave 31 janë aprovuar me një shumë  prej  mbi 4,6 milionë eurosh.

“Në periudhën  janar-mars  janë fiskalizuar 3013 biznese , apo janë instaluar 4.223 pajisje elektronike fiskale. Ndërkaq, që nga korriku, kur nisë ky proces, e deri në fund të marsit  janë fiskalizuar 9.413 biznese me 12.523 pajisje, nga 19 mijë  sa ishin të planifikuara për fazën e parë”, ka thënë Haliti.

Në fund ai përmendi edhe sfidat që i  presin këta të fundit gjatë këtij viti, duke theksuar realizimin e planit të të hyrave për vitin 2011, implementimin e projektit të arkave fiskale, funksionalizimin e deklarimit online, funksionalizimin e njësisë për menaxhim të rrezikut, identifikimin e saktë dhe azhurnimin e regjistrit të tatimpaguesve si dhe kushtet e punës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)