29 Prill 2024

Çertifikohen 32 auditorë, 12 trajnerë dhe 4 kontabilistë

Prishtinë, 28 shtator - Ministria e Financave, respektivisht Njësia Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm (NJQHAB) në bashkëpunim me Konsorciumin e Projektit të Capita Tribal HELM në Irlandë, Instituti  i Kontraktuar për Financa Publike dhe Kontabilitet (CIPFA) në Londër dhe Qendra e Ekselencës për Financa (CEF) në Slloveni, kanë organizuar të martën ceremoninë e ndarjes së certifikatave për auditorët e brendshëm për ciklin e Projektit të BE-së  për përmirësimin e menaxhimit, kontrollit dhe llogaridhënies publike në Kosovë.

Janë certifikuar 32 auditorë të brendshëm të sektorit publik duke përfshirë edhe anëtarët e Njësisë Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm (NJQHAB) nga Instituti i Kontraktuar i Financave Publike dhe Kontabilitetit (CIPFA), ku 12 nga këta janë certifikuar edhe për trajner të auditimit të brendshëm. Dhe gjithashtu janë certifikuar edhe 4 zyrtarë tjerë qeveritarë në fushën e kontabilitetit të Sektorit Publik për Institutin e Kontraktuar të Financave Publike dhe Kontabilitetit.

Zëvendësministri i Financave , Ramadan Avdiu , duke falënderuar organizatorët dhe gjithashtu Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, e cila e ka mbështetur këtë projekt dhe gjithashtu duke uruar auditorët e certifikuar , tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe Ministria e Financave në veçanti,  jo një herë kanë shprehur qëndrimin e vendosur për të krijuar kapacitete profesionale për menaxhim efikas, transparent dhe me kontroll të rreptë sipas standardeve evropiane  të financave publike. Në vazhdën e përmbushjes së kësaj objektive është lansuar projekti për trajnimin dhe formimin profesional të auditorëve të brendshëm”.

“Unë dua të përfitoj nga ky rast për të shprehur përgëzimet e mia për këtë projekt, lidhur me punën e madhe që është bërë dhe rezultatet e jashtëzakonshme të tij. Ky projekt  ka ndihmuar qeverinë në drejtimin  e duhur për të përmbushur kërkesat e  BE-së,  lidhur me  fushën e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe për të siguruar një shërbim të mirë dhe funksional publik që përdor burimet publike për të adresuar nevojat dhe aspiratat e qytetarëve”.

Ai më tej shtoi se rezultatet e këtij projekt kanë qenë mjaft të gjëra, duke përfshirë një politikë të re për KBFP-në dhe planin e veprimit të cilin e ka miratuar qeveria në prill të këtij viti, Ligjin e rishikuar të Auditimit të Brendshëm dhe rregulloret plotësuese lidhur me fushat  e tilla si licencimi dhe krijimi i komiteteve të auditimit, Doracakun e rishikuar të Auditimit të Brendshëm, përshkrimet e vendeve të punës dhe planet operacionale për të ndihmuar krijimin e NjQH-së për MFK-në, Rregullën e rishikuar nr. 1 të Thesarit për të adresuar kërkesat e MFK-së, Doracakun gjithëpërfshirës për Procedurat e MFK-së, i cili është miratuar nga DP i Buxhetit të KE-së në Bruksel,  së bashku me listën verifikuese për të mundësuar menaxhimin e buxhetit në mënyrë që të vlerësohet arritja e tyre në fushën e MFK-së,  si dhe doracakun e Ministrave, i cili mbulon temat e qeverisjes dhe lidershipit.

“Me këto rezultate, projekti ka ndihmuar që të krijojmë një politikë të fuqishme, të kornizës ligjore dhe institucionale, si dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore për zbatimin me trajnimet e gjera të ofruara nga ai, ne tani jemi duke zhvilluar kapacitetin tonë për zbatim”, tha zëvendësministri Avdiu.

Ndërsa, drejtori i NJQHAB-së , Kosum Aliu, duke uruar të gjithë të certifikuarit tha se “Ky është një moment krenar për secilin prej nesh dhe për Kosovën, duke treguar se jemi duke ndërtuar një shërbim publik me të cilin do të krenohemi duke qenë më të mirët në rajon."

"Ne llogarisim në ju që të përdorni njohuritë tuaja për të ndihmuar organizatat tuaja për të drejtuar operacionet në mënyrë efikase dhe efektive, dhe për të ndihmuar kolegët tuaj të ndërtojnë një profesion dinamik të auditimit të brendshëm në shërbimin publik të Kosovës. Dhe, unë ju siguroj se do të keni mbështetjen e vazhdueshme nga unë dhe ekipi im në NJQH për Auditimin e Brendshëm”.

Ai më tej shtoi se “Kosova është e para në rajon që implementon këtë projekt për certifikimin ndërkombëtarisht të auditorëve të brendshëm, i cili projekt do të ndikojë në ngritjen dhe funksionimin sa më të mirë të kontrollit të brendshëm të Financave Publike”. 

Të pranishmit i përshëndeti edhe përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Rron Dadallaku, i cili shprehu gatishmërinë e Komisionit Evropian që edhe në të ardhmen të mbështesë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të financave publike.

Në këtë ceremoni përveç zyrtarëve të certifikuar morën pjesë zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu , përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse i Komisionit Evropian, Rron Dadallaku, zëvendësdrejtori i Departamentit të Thesarit,  Zilif Lufi, drejtoresha menaxhuese e CAPITA International Development, Caroline Rickatson, përfaqësuesi i CIPFA,  Giles Orr dhe përfaqësueset  e CEF, Ana Frankez dhe  Mira Dubrovsek.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)