28 Mars 2024

CEO-të në Kosovë pesimistë për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm

Prishtinë, 29 mars - Rreth tre të katërtat (63%) e CEO-ve në Kosovë besojnë se rritja ekonomike globale do të bjerë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Kjo është ndër gjetjet kryesore të Anketës së 26-të Vjetore të CEO-ve në Kosovë nga PwC. Në nivel global, PwC anketoi 4,410 CEO në 105 vende dhe territore në tetor dhe nëntor 2022 nga ku 40 CEO ishin nga Kosova.

Kjo është pikëpamje pesimiste në lidhje me rritjen ekonomike globale dhe përfaqëson një ndryshim të mprehtë nga viti i kaluar, kur 73% e drejtuesve të biznesit në vend parashikuan një përmirësim/rritje të ekonomisë globale.

Drejtuesit në Kosovë janë pak më pak pesimistë për rritjen ekonomike të vendit të tyre: 48% e tyre besojnë se rritja do të ngadalësohet. Ndërkaq, drejtorët ekzekutivë në Kosovë janë më të sigurtë për rritjen e kompanisë së tyre dhe po shohin për mundësi të tjera zhvillimi në vendet më të afërta gjeografikisht.

Pavarësisht pesimizmit të tyre për kushtet makroekonomike, CEO-t janë më të sigurtë kur bëhet fjalë për gjëra të cilat ata mund t'i kontrollojnë drejtpërdrejtë: CEO-t tanë janë më të sigurtë për perspektivat e rritjes së të ardhurave të kompanisë së tyre përgjatë 12 muajve të ardhshëm, nga ku 30% thonë se janë "jashtëzakonisht të sigurtë". Optimizmi i tyre është edhe më i madh kur e shikojmë në një horizont tre vjeçar – 28% e tyre thonë se janë të sigurt në rritjen e kompanisë së tyre.

Nuk është për t'u habitur që liderët botëror po shohin më afër vendit se kurrë më parë për mundësitë e zgjerimit jashtë vendit. Tronditja nga pandemia dhe trazirat e vazhdueshme gjeopolitike na lënë të kuptojmë se kompanitë në mbarë botën po kërkojnë mënyra për të afruar marrëdhëniet e tyre të biznesit - duke shkurtuar dhe forcuar kështu zinxhirët e tyre të furnizimit. Kompanitë kosovare nuk janë ndryshe, edhe tek CEO-t kosovarë vihet re ky trend.

Në anketen e këtij viti, Shqipëria është ende një nga vendet kryesore që konsiderohet e rëndësishme për rritje për 43% të CEO-ve kosovarë. Vihet re një rritje e përqendrimit në Gjermani (43%).  Brenda rajonit, udhëheqësit e biznesit treguan interes për Maqedoninë e Veriut (33%) dhe Serbinë (8%)– duke reflektuar sërish trendin e interesit për vendet më afër gjeografikisht.

Inflacioni, paqëndrueshmëria makroekonomike dhe konflikti gjeopolitik kryesojnë shqetësimet e CEO-ve

Rënia ekonomike ka një ndikim të madh mbi CEO-të këtë vit, inflacioni (30%), konflikti gjeopolitik (28%) dhe paqëndrueshmëria makroekonomike (23%) udhëheqin rreziqet të cilat rëndojnë mbi CEO-të në periudhën afatshkurtër - 12 muajt e ardhshëm. Në kontrast me CEO-t në rajon dhe në botë, CEO-t në Kosovë e konsiderojnë rrezikun kibernetik si një nga shqetësimet e tyre kryesore (28%).

Megjithatë, drejtuesit e perceptojnë inflacionin si një kërcënim relativisht kalimtar: ndikimi i tij për pesë vitet e ardhshme bie në 23%. Paqëndrueshmëria makroekonomike gjithashtu ulet në 25%. Gjithashtu rreziku kibernetik zvogëlohet në 25%. Ndërkohë rreziku gjeopolitik nuk pëson asnjë ndryshim.

Drejtorët ekzekutivë po diversifikojnë produktet dhe shërbimet  e tyre – por shumica nuk planifikojnë të reduktojnë numrin e punonjësve

Në përgjigje ndaj sfidave ekonomike afatshkurtëra, CEO-t në Kosovë janë në përputhje me kolegët globalë përsa i përket vendimeve të cilat nxisin rritjen e të ardhurave dhe ulin kostot. Një veprim bie në sy: 40% e CEO-ve në vendin tonë thonë se tashmë kanë provuar të diversifikojnë produktet dhe shërbimet e tyre – një mjet që deri më tani 48% e kolegëve të tyre globalë e kanë përdorur.

Si në Kosovë ashtu edhe në nivelin global, tronditja nga “Dorëheqja e Madhe” si dhe nevoja e vazhdueshme për të tërhequr dhe mbajtur talentet po formësojnë përgjigjen ndaj sfidave makroekonomike. Si pasojë 38% e kompanive kanë rritur tashmë çmimet e tyre dhe 23% janë përpjekur të ulin kostot operacionale, 10% po zbatojnë ngrirjen e punësimeve, vetëm 5% kanë ngadalësuar investimet, vetëm 2% po zvogëlojnë numrin e punëtorëve dhe 2% po ulin kompensimin.

Nevoja urgjente për transformim

Përveç një mjedisi sfidues, gati 46% e CEO-ve në Kosovë mendojnë se organizatat e tyre nuk do të jenë ekonomikisht të qëndrueshme në një dekadë nëse vazhdojnë në rrugën e tyre aktuale. Drejtuesit e shohin nevojën për ndryshim dhe po mendojnë gjithashtu për hapat që duhen ndjekur për të arritur atje. Kjo është një shenjë optimiste pasi CEO-t po gjejnë mënyra për të shfrytëzuar krizën aktuale për përfitimin afatgjatë të kompanive të tyre.

Një ndër kërcënimet kryesore ndaj bizneseve të CEO-ve në vendin tonë, është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar – kjo është pjesë e luftës së vazhdueshme globale për talentet dhe është evidente në sondazhet e CEO-ve prej disa vitesh tashmë.

Ndër rreziqet e tjera përfshihen ndryshimin e kërkesave të klientëve (në Kosovë: 45%, globalisht: 56%) dhe ndryshimet në teknologji, p.sh. teknologjia e avancuar, AI, metaverse, blockchain (në Kosovë: 37%, globalisht: 49%).

Për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive këtyre sfidave, CEO-t po përpiqen të jenë më të qëndrueshëm sot. Investimet që po orientohen kundrejt teknologjisë janë të mëdha për shumë CEO globalë gjithashtu dhe kosovarë. Në territorin tonë, drejtuesit e bizneseve po planifikojnë të investojnë më shumë në automatizim, duke përdorur teknologji (cloud, AI, etj.) në 12 muajt e ardhshëm.

Pavarësia energjetike është një prioritet në rritje për liderët në rajonin tonë

Drejtorët ekzekutivë janë gjithashtu në kërkim të burimeve të reja të energjisë, pasi pushtimi rus i Ukrainës ishte një thirrje zgjimi për shumë vende të cilat vareshin shumë nga gazi rus.

Në anketën e këtij viti, 35% e CEO-ve në Kosovë thanë se kalimi në burime të reja energjitike do të ndikojë në biznesin e tyre në 10 vitet e ardhshme, në thelb pak më shumë se 37% e liderëve globalë e parashikojnë këtë efekt.

Dhe 25% e drejtuesve të bizneseve në Kosovë (globalisht: 34%) planifikojnë të investojnë në burime alternative të energjisë në 12 muajt e ardhshëm.

Kjo është një shenjë inkurajuese e cila gjithashtu do të rrisë aftësinë e kompanive për t'iu përgjigjur sfidave të cilat lidhen me ndryshimet klimatike.

Rreth të dhënave: PwC anketoi në nivel global 4,410 CEO në tetor dhe nëntor 2022. Në këtë grup ishin 40 CEO nga Kosova. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)