29 Prill 2024

Bujqësia e Kosovës prioritet për SHBA-të

Washington, 23 gusht - Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bujqësinë kosovare do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kjo mbështetje i është konfirmuar edhe njëherë ministrit Stavileci dhe delegacionit të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë marrë pjesë në konferencën treditore mbi Programin Shtetëror të Bashkëpunimit ndërmjet shtetit të Iowes dhe Kosovës, në kampin ushtarak “Dodg” të Gardës Kombëtare në Des Moines të shtetit Iowa.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit shtetëror të të dyja vendeve, në mes tjerash kanë diskutuar edhe për mënyrat sesi do ta nxisnin dhe intensifikonin bashkëpunimin konkret në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së bujqësisë kosovare nga shteti i Iowas, i cili njihet si njëri prej shteteve me bujqësinë më të zhvilluar në SHBA.

“Pas prezantimit që kemi bërë vitin e kaluar, ne kemi marrë përkrahje të madhe nga departamenti i shtetit dhe me përkrahjen e drejtpërdrejtë të USAID-it në Kosovë, kemi arritur t’i shndërrojmë në projekte konkrete shumë ide që kemi pasur. Krijimi i fondit garantues për kreditë bujqësore ka qenë njëra prej këtyre ideve, të cilin e kemi filluar si projekt së bashku dhe tashmë jemi në prag të finalizimit.

Organizimi i shërbimeve këshillimore gjithashtu, madje edhe këshilltarët profesional jemi duke i trajnuar këtu, si dhe themelimi i Njësisë për Analiza Ekonomike, e cila në të ardhmen do të prodhojë analiza të detajuara për secilën kulturë bujqësore. Të njëjtën gjë e presim edhe sivjet.

Në Des Moines të Iowas ne përsëri kemi prezantuar mundësi të reja të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe gatishmëria për të na mbështetur na është rikonfirmuar përsëri”, ka thënë ministri Stavileci lidhur me këtë vizitë.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, delegacioni i MBPZHR-së i kryesuar nga ministri Stavileci ka pasur takime edhe me kompani amerikane dhe ka vizituar edhe Panairin Tradicional Bujqësor të shtetit të Iowas, me ç’rast janë takuar edhe me udhëheqësin e departamentit amerikan të bujqësisë (USDA), sekretarin Vilsack dhe sekretarin për bujqësi të shtetit të Iowas, Bill Northey.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Iowa, së bashku me ambasadorin e Kosovës në SHBA, ministri Stavileci ka zhvilluar një takim edhe me kongresmenin Leonard Boswell, i cili është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në fushën e arsimit dhe shkëmbimit akademik përmes Universitetit të IOWA-s dhe atij të Graceland-it.

Takime zyrtare, delegacioni i MBPZHR-së ka realizuar edhe me përfaqësuesen e lartë të USAID-it për Evropë zv.administratoren Paide Alexander, si dhe me koordinatorin e ndihmës amerikane për Evropë edhe Euroazi, Daniel Rosenblum, ku nga ministri Stavileci është vlerësuar lartë mbështetja e deritanishme që është realizuar nëpërmjet fondeve të USAID-it në Kosovë.

Vlen te theksohet se gjate kësaj jave ka vazhduar edhe trajnimi i organizuar nga Departamenti i Bujqësisë së SHBA-ve për shtatë këshilltarët profesional për bujqësi dhe zhvillim rural të MBPZHR-së dhe përfaqësuesit të sektorit privat, i cili është mundësuar si rezultat i vizitës dhe takimeve që ministri Stavileci ka realizuar në vitin e kaluar me përfaqësuesit e Departamentit të Bujqësisë në SHBA.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)