BSPK: Nuk do të protestojmë më 1 Maj

Prishtinë, 30 prill - Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), edhe kësaj radhe nuk e ka parë të arsyeshme që të protestohet me 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, ashtu siç bëjnë shumë vende të Evropës, të cilat mu këtë ditë, protestojnë për të shprehur pakënaqësinë me gjendjen e punëtorëve.
Kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, tha se kjo sindikatë ka vendor që të mos protestohet edhe këtë vit, për 1 Maj, pasi që me protestat e organizuara viteve të kaluara, është parë, që punëtorët e vendit tonë, janë më të interesuar që këtë ditë të festojnë se sa të protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe se kjo është dëshmuar me pjesëmarrje tejet të vogël në protestat e organizuar tri vite radhazi.
Edhe kësaj radhe nuk do të protestojmë për një maj, por ne në kryesinë e BSPK-së kemi diskutuar dhe kemi parë të arsyeshme se ka vend për një protestë sepse kemi shkelje, kemi raste të cilat rëndojnë mbi supet e kësaj punëtorie kosovare. Por ka mbet hapur se cila do të jetë data në këtë muaj që do ta mbajmë një protestë. Por për një maj jo, tha Arifi.
Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq tha se ende nuk ka shifra të sakta sa i përket papunësisë në Kosovë.
Ai pohoi se përqindja e papunësisë nuk është 43 për qind ashtu siç thuhet, por është diku rreth 30 për qind, e cila ende është mjaftë e lartë. MPMS, sipas tij i ka të regjistruar 270 mijë punëkërkues.
Shifrat për papunësinë në Kosovë nuk janë shumë të sakta. Ne i kemi të regjistruar prej vitit 2002 diku 270 mijë punëkërkues. Nuk bëhet 30, 43 për qind, është diçka tjetër. Nëse ka dëshmi se dikush tjetër që ka më shumë punëtorë që nuk janë të regjistruar, ju lutem na prezantoni apo i dërgoni që ti regjistrojmë, tha ai.