17 Maj 2024

BQE blerjet e obligacioneve italiane i kushtëzon me reforma

Bruksel, 7 nëntor - Vazhdimi i blerjes së obligacioneve italiane nga Banka Qendrore Evropiane, BQE, kushtëzohet me reformat e premtuara nga Silvio Berluskoni përpara BE-së, u shpreh sot në gazetën \"La Stampa\", Yves Mersch, anëtar i këshillit të guvernatorëve të BQE-së.

\"Nëse këshilli i guvernatorëve të BQE-së del në konkluzionin se kushtet që çuan në marrjen e një vendimi nuk ekzistojnë më, ai është i lirë të ndryshojë mendim në çdo moment\", shpjegoi Mersch në një intervistë për të përditshmen e Torinos, qytet në veri të Italisë.

\"Detyra jonë nuk është të ndreqim gabimet e politikës\", theksoi Mersch, guvernator i Bankës Qendrore të Luksemburgut, i cili bën pjesë në krerët e BQE-së që prej themelimit të saj në 1998 dhe konsiderohet si një \"fajkua\".

Qeveria e qendrës së djathtë e Silvio Berluskonit ka miratuar deri tani dy plane shtrënguese në korrik dhe më tej në shtator që do të sjellin kursimin e 60 miliardë eurove brenda tre vjetëve me objektiv rivendosjen e ekuilibrit të financave të vendit që në vitin 2013.

Por, Italia mbetet në objektivin e tregjeve të cilat dyshojnë në kapacitetin e kryeministrit italian për të vënë në zbatim këto angazhime si dhe një seri reformash ekonomike tëpremtuara në një letër dorëzuar në fund të tetorit Bashkimit Evropian.

Sipas guvernatorit të Luksemburgut, blerja e obligacioneve të një vendi nga BQE-ja duhet të jetë \"e kufizuar në sasi dhe në kohë dhe të ketë si objektiv të vetëm garantimin e plotë të politikës monetare\".

\"Por, nëse konstatojmë se ndërhyrjet tona janë minuar nga mungesa e përpjekjeve nga qeveritë, duhet të shtrojmë çështjen e nxitjeve\", shtoi ai, duke aluduar për riblerjet e obligacioneve nga BQE-ja.

BQE vendosi në fillim të gushtit rifillimin e blerjes së obligacioneve publike, të miratuara në pranverë 2010 për të ndihmuar Greqinë, për shkak të acarimit të krizës së borxhit që kërcënonte disa ekonomi si Italia ose Spanja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)