08 Maj 2024

Borxhet e Italisë pengojnë rimëkëmbjen e euros

Berlin, 12 korrik - Kancelarja Merkel është e shqetësuar për kalimin e mundshëm të krizës së borxheve në Itali. Ajo i bëri thirrje qeverisë në Romë të miratojë sa më shpejt një buxhet me masa kursimesh. Duhet të mbrohet stabiliteti i euros.

Në sfondin e shqetësimeve për një zgjerimin e krizës së borxheve edhe në Itali, kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje dje qeverisë në Romë të miratojë sa më shpejt një buxhet me masa kursimesh për të konsoliduar financat e vendit.

Ky është një \"sinjal i rëndësishëm\" që duhet të jepet nga vetë Italia, tha kancelarja. Merkel shprehu besimin se Italia \"do të miratojë pikërisht një buxhet të tillë\". Të dielën kancerlarja ka telefonuar për këtë çështje me kryeministrin italian Silvio Berlusconi.

Gjermania dhe të gjithë partnerët në eurozonë janë të vendosur të mbrojnë stabilitetin e euros. Kjo vlen edhe për të ardhmen, dhe për këtë qëllim është krijuar edhe instrumenti i ombrellës së re të shpëtimit \"mekanizmi evropian i stabilitetit\", shkurt ESM.

Euro si valutë është e qendrueshme, tha kancelarja. \"Por në disa vende kemi problemin e borxheve\", shtoi ajo.

Në të njëjtën kohë Merkel kërkoi një vendim të shpejtë të BE-së për një program të ri ndihme për Greqinë: \"Sa i takon Greqisë, dua të them se ajo duhet të marrë shumë shpejt një program të ri, brenda një kohe sa më të shkurtër.\"

Aktualisht po shtohen shqetësimet se edhe Italia mund të përfshihet në krizën e borxheve. Interesat për obligacionet shtetërore italiane javët e kaluara kanë shënuar nivele të reja rekord për shkak të rritjes së riskut.

Njëkohësisht të premten bursa e Milanos pësoi rënie të thellë. Pas Greqisë, Italia ka në eurozonë normën më të lartë të borxhit në raport me produktin e brendshëm bruto.

Dje u konsultoan në Bruksel ministrat e financave të eurozonës. Zyrtarisht u shmang termi \"takim krize\". Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, u takua fillimisht me përfaqësuesit e lartë përgjegjës për euron. Fjala nuk është vetëm për Greqinë por edhe për Italinë, deklaruan diplomatët në Bruksel.

Javët e shkuara ka pasur edhe zëra se ombrella evropiane e shpëtimit për euron duhet të shtohet përballë problemeve financiare të Italisë. Në takim nuk priten megjithatë vendime konkrete. Veçanërisht e polemizuar mbetet pjesëmarrja e kreditorëve privatë si bankat dhe shoqëritë e sigurimit në paketën e re të shpëtimit.

Në fund të vitit 2010 niveli i borxheve të Italisë ishte 119% i Produktit të Brendshëm Bruto. Këtë vit parashikohet që borxhi të kalojë nivelin 120% të PBB-së. Kështu kuota do të ishte dy herë më e lartë se ajo që lejon traktati i Mastriktit për stabilitetin e euros.

Fond i ri krize për shtetet e rrezikuara të eurozonës

Ministrat e financave të 17 vendeve të euros pritet të nënshkruajnë në takimin e tyre një marrëveshje për krijimin e një fondi afatgjatë krize për shtetet e rrezikuara të eurozonës.

Fondi do të ketë një volum prej 700 miliardë eurosh, nga të cilat 80 miliardë do të jenë para cash.

Ai duhet të mbrojë vendet e zhytura thellë në borxhe nga falimentimi shtetëror. Marrëveshja duhet të ratifikohet më pas në 17 vendet e eurozonës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)