17 Maj 2024

Borisov: Do të inkurajojë bizneset bullgare të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 19 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur nga homologu i tij, kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Bullgarisë, për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Bullgarisë dhe falënderoi kryeministrin bullgar për njohjen që Sofja zyrtare i ka bërë shtetit të Kosovës.

Në takimin e sotëm, Kryeministri Thaçi prezantoi të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës në këto 4 vite të shtetësisë, duke theksuar se Kosova tani është e përkushtuar fuqishëm në përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit. 

Në kuadër të agjendës evropiane, vizioni dhe puna e Qeverisë së Republikës së Kosovës është e fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal – u shpreh kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në UNESCO.

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm ritheksoi ftesën e tij dhe të qeverisë që drejton për të gjitha bizneset bullgare për të ardhur për të investuar në Kosovë.

Republika e Kosovës ka krijuar kushte dhe mundësi të favorshme për investimet e jashtme . Në këtë aspekt, ne mirëpresim të gjithë investitorët nga shteti i Bullgarisë për të investuar në vendin tonë – theksoi Thaçi

Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi e falënderoi kryeministrin kosovar për vizitën, theksoi se Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë njohje ka pasur koncensus të lartë të të gjithë spektrit politik dhe institucional.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov theksoi se Bullgaria mbështetë perspektivën europiane të Kosovës dhe shtoi se në rrugën e Kosovës për në BE, Bullgaria është e gatshme që ta mbështesë Kosovën me përvojat e saj në këtë proces.

Kryeministri Borissov theksoi se Qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, duke inkurajuar forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në këtë aspekt, z.Borissov mbështeti përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun për çështjet teknike me Serbinë.

Në këtë kontekst, kryeministri Borissov inkurajoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës për të vazhduar në këtë frymë evropiane, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti mund të arrihen vetëm ndërmjet dialogut, ndërsa marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet që sa më shpejtë të implementohen.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Bullgarisë.

Marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve janë shumë të mira dhe shpreh qëndrimin që tash këto marrëdhënie prej marrëdhënieve politike e diplomatike, duhet të fokusohemi edhe në zhvillimin e marrdhënieve ekonomike mes dy vendeve, - theksoi kryeministri Borissov.

Me këtë rast, kryeministri Borisov premtoi se do të inkurajojë bizneset bullgare që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë dhe gjithashtu premtoi se do të hapë dyert për bizneset e Kosovës në Bullgari.

Gjatë ditës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me nënkryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, znj. Ekaterina Ivanova Michaylova me të cilën ka diskutuar për raportet mes dy vendeve, për bashkëpunimin mes Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit të Bullgarisë.

Nënkryetarja e Parlamentit të Bullgarisë i shprehu kryeministrit Thaçi gatishmërinë e institucionit legjislativ bullgar për mbështetje dhe shkëmbim përvojash me Kuvendin e Kosovës.

Po sot, Kryeministri Hashim Thaçi ka mbajtur një ligjëratë në Klubin Atlantik të Bullgarisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)