28 Prill 2024

Bondet e Shqipërisë fluturojnë në 9.6 për qind

Tiranë, 23 shtator - Bondet sovrane në euro të Republikës së Shqipërisë pësuan humbje të konsiderueshme të vlerës gjatë muajve të fundit dhe u shitën përkundrejt interesit 9.6 për qind ose 2.1 për qind më shumë sesa interesi fillestar i tyre, pavarësisht faktit se ende nuk është mbushur një vit nga emetimi.

“Interesat për bondet shqiptare, të cilat në total janë 300 milionë euro dhe që japin interes nominal prej 7.5 për qind në vit e maturohen në vitin 2015, u rritën me 69 pikë bazë ose 0.69 për qind gjatë muajit të fundit duke arritur në çmimin rekord prej 9.6 për qind, sipas të dhënave të grumbulluara nga Bloomberg”, thotë agjencia e informacionit financiar Bloomberg në një shkrim ku Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, citohet se ka thënë se nuk ka ndër mend të emetojë bonde të tjera sovrane.

“Ecuria e interesave të bondeve shqiptare në tregjet sekondare është ndikuar nga rritja e përgjithshme e rrezikut të perceptuar për bondet sovrane si pasojë e krizës (në Eurozonë)”, komentoi për “Shqip” drejtori i Menaxhimit të Borxhit Publik, Xhentil Demiraj.

Sipas Demirajt, rritja e interesave të bondeve greke, spanjolle, italiane etj., ka shkaktuar rritje të interesave të bondeve sovrane të vendeve të tjera me përjashtim të vendeve që konsiderohen si të sigurta, si Gjermania apo SHBA.

Klasifikimi i Shqipërisë nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit si “Moody’s” nuk ka ndryshuar dhe për rrjedhojë, ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë muajve të fundit nuk duket se ka ndikuar në çmimin e bondeve.

Në rastin e shteteve të mëdha, rritja e interesit të kërkuar për bondet e tyre paralajmëron një katastrofë dhe pasqyron ecurinë ekonomike të këtyre shteteve. Por për Shqipërinë, shtrenjtimi i eurobondeve nuk përbën ndonjë tragjedi, pasi vendi ynë nuk ka nevojë të dalë në tregjet e bondeve deri në vitin 2015.

Shqipëria i shiti bondet në 28 tetor 2010. Interesat e para të këtyre bondeve prej rreth 22.5 milionë euro do të paguhen në 4 nëntorin e ardhshëm.

Ndryshe nga bonot e thesarit të emetuara për shqiptarët në lekë, mbi interesat e të cilave qeveria mban 10 për qind tatim mbi të ardhurat, për interesat e paguara për eurobondet nuk do të mbahet taksë.

Bondet shqiptare u shitën fillimisht përkundrejt çmimit nominal të barabartë me 99.5 për qind. Kjo do të thotë se një bond 50 mijë eurosh u pagua nga blerësit për 49,700 euro.
 
Blerësit e parë të bondeve shqiptare pranuan interes bazë prej 7.5 për qind dhe ku është interesi që do të paguajë qeveria për këto bonde.

Por blerësit e parë kanë mundësi t’i ofrojnë për shitje tek investitorë të tjerë në rast se u nevojiten paratë. Investitorët e tjerë kërkojnë një interes më të lartë sesa ai që qeveria shqiptare do të paguajë, gjë që do të thotë se blerësit e parë duhet t’i shesin bondet aktualisht 2.1 për qind më pak sesa vlera e tyre nominale.
 
Bondet shqiptare kanë vlerë nominale që varion nga 50 mijë në 99 mijë euro dhe janë blerë nga investitorë të ndryshëm nga e gjithë bota. Sipas Ministrisë së Financave, shumica e bondeve janë në duart e bankave dhe fondeve të investimeve nga SHBA, Hong Kong, Arabia Saudite, vendet skandinave etj.

Një pjesë e bondeve janë blerë nga bankat shqiptare të nivelit të dytë, të cilat duket se kanë parë me leverdi mbajtjen e tyre deri në maturim dhe jo rishitjen e tyre për kursimtarët e vegjël në Shqipëri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)