12 Maj 2024

Bernanke: Kthimi te standardi i arit është gabim

Washington, 22 mars - Lidhja e masës monetare me sasinë e arit të disponueshëm kufizon mundësitë e qeverisë për të trajtuar problemet ekonomike dhe kjo është arsyeja se pse standardi i arit nuk është një sistem monetar perfekt.

Ky është mendimi i Ben S. Bernanke, kreut të Rezervës Federale, banka qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një leksion që ai mbajti në universitetin George Washington.

Bernake, një nga njerëzit më të fuqishëm në kryeqytetin amerikan, pra pranuar të japë katër leksione mbi politikën monetare në dy javët e ardhshme. Ai ka pranuar gjithashtu të lexojë disa nga esetë e studentëve.

“Kjo nuk është mënyra më e zakonshme se si kreu i bankës qendrore e përdor kohën e vet, por Bernanke, i cili ka zgjeruar së tepërmi rolin e institucionit në politikat ekonomike të vendit, po përpiqet të gjejë mënyra për përmirësimin e imazhit të vet,” shkruan NYT.

FED shqetësohet për faktin se as nuk pëlqehet dhe as nuk kuptohet nga shumë amerikanë dhe se zemërimi i publikut nga kriza mund të sjellë kufizime të fuqisë së bankës.

Në përpjekje për ta zgjidhur këtë problem, Bernanke ka dalë në televizion, ka dhënë konferenca të shpeshta për shtyp dhe ka rritur aksesin e medias në debatet brenda FED. Këtë muaj, FED hapi edhe një llogari Twitter.

Të martën, Bernanke foli mbi historinë e politikës monetare të Shteteve të Bashkuara, përfshirë themelimin e bankës qendrore më 1913 dhe fajet e këtij institucioni në Depresionin e Madh.

Ai kritikoi standardin e arit, i cili u hoq në fillim të viteve 1930, një vendim që shumë ekonomistë e konsiderojnë si të logjikshëm, shumë të vlefshëm dhe në thelb, të pakthyeshëm

Por ndërkohë, një kongresmen republikan nga Teksasi, Ron Paul, i cili po garon gjithashtu për president, ka fituar mbështetje, veçanërisht mes studentëve të kolegjeve, me fushatën e tij për të rikthyer standardin e arit.

Në një sistem të tillë, sasia e kartëmonedhave në qarkullim përcakohet në bazë të një formule, e cila merr parasysh sasinë e arit në arkën e bankës qendrore dhe rrjedhimisht, politikës monetare nuk i mbetet të bëjë politikë.

Bernanke e konsideroi fushatën e kongresmenit si tërësisht të gabuar. “Problemi me një standard të tillë,” shpjegoi Bernanke, “është se kufizon aftësinë e qeverisë për të trajtuar problemet ekonomike përmes adaptimit të masës monetare në ekonomi në përputhje me kushtet. Mbështetësit e standardit e shohin këtë si një avantazh, pasi besojnë se hartuesit e politikave bëjnë më shumë dëm se sa mirë, pasi i japin rëndësi përfitimeve afatshkurtra në dëm të kostove afatgjata,”, tha ai.

Standardi i Arit hyri në fuqi në pjesën më të madhe të Europës në vitin 1870. Termi i saktë i përdorur nga historianët është “standardi i këmbimit të arit” ku banka qendrore që emeton kartëmonedha, ka për detyrë të paguajë në ar në çdo kohë këto kartëmonedha.

Bankat qendrore mbanin rezerva ari afërsisht sa 40 për qind e sasisë së kartëmonedhave në qarkullim. Sistemi vetërregullohej për shkak se me pagesën e një kartëmonedhe në ar, rrjedhimisht hiqej ajo kartëmonedhë nga qarkullimi dhe anasjelltas.

Por pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933, shumica dërrmuese e vendeve Europiane hoqi dorë nga ky sistem. 21 Mars 2012

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)