03 Maj 2024

Beqaj: Synimi i Qeverisë, zhvillimi i sektorit privat

Prishtinë, 27 shtator - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka vlerësuar se ekonomia e Republikës së Kosovës ka shënuar hapa pozitë, por problemet ekonomike globale kanë pasur efektin e tyre edhe në ekonominë e vendit, megjithatë projeksionet për rritjen ekonomike prej7-8 për qind për vitin e ardhshëm janë mjaft shpresëdhënëse.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot gjatë konferencës njëditore “Mundësitë dhe sfidat e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimi i sektorit privat”, që u organizua nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Aleancën Kosovare të Biznesit, ku u diskutuan mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe rolin e sektorit privat.

Me këtë rast, Beqaj ka theksuar se synim i Qeverisë së Republikës së Kosovës është zhvillimi i sektorit privat dhe kjo nuk është një slogan por është një punë konkrete ku të gjitha ministritë që kanë marrë pjesë në hartimin e programit ekonomik janë involvuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në arritjen e këtij objektivi.

Kreu i MZHE-së, ka vënë në dukje se zhvillimi ekonomik është një sfidë për Qeverinë dhe ka adresuar sfidat me të cilat ballafaqohet ekzekutivi për arritjen e qëllimi që i ka vënë vetes, e që është fuqizimi i sektorit privat.

Ministri Beqaj si sfida ka listuar, vendosjen e rendit në tërë vendin, infrastrukturën ligjore, zvogëlimin e ekonomisë informale, rritjen ekonomike deri në 8 për qind, uljen e papunësisë, bashkëpunimin rajonal dhe organizmat financiare ndërkombëtare, zhvillimin e resurseve energjetike, harmonizimi i programeve zhvillimore dhe programeve edukative dhe shkencore etj.

“Sfida për zhvillim ekonomik ka shumë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë, prandaj ne kemi organizuar këtë konferencë të fokusuar në numër të limituar të njerëzve të cilët kanë mundësi  qoftë si përfaqësues të asociacioneve të bizneseve, qoftë si përfaqësues të projekteve  ndërkombëtare që të debatojnë dhe të shohim se si mund tu qasemi këtyre sfidave”, tha ai.

Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka prezantuar projektet në infrastrukturë, si autostrada Morinë-Merdare, Prishtinë- Hani i Elezit, Prishtinë- Pejë, Prishtinë – Mitrovicë, etj, të cilat sipas tij janë ndër aktivitet kryesore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, Blerand Stavileci vlerësoi se një ndër sektorët kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend është bujqësia, të cilës kohëve të fundit po i kushtohet rëndësi e veçantë, duke e stimuluar atë me kredi dhe subvencione të ndryshme.

Edhe përfaqësuesit e biznesit kanë vlerësuar qasjen e Qeverisë për t’i dhënë më shumë mbështetje zhvillimit të sektorit privat, ndërsa kërkuan lehtësira fiskale për prodhuesit vendor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka pohuar nxitja e dialogimit  nga ana e institucioneve me pragmatizëm të partneritetit publiko-privat avancon zhvillimin ekonomik. Sipas tij, ekonomia si prioritet i institucioneve avancon  zhvillimin ekonomik duke krijuar kështu stabilitet ekonomik dhe social.

Ndërsa, Lekë Musa, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se dialogimi në mes Qeverisë dhe sektorit të biznesit rrit shansin për të krijuar një strategji të zhvillimit ekonomik.

Musa ka shtuar se Kosova ende vazhdon te jetë nje vend i vogël për investitor të mëdhenj, prandaj duhet angazhuar që Kosova të bëhet sa më atraktive në mënyrë që interesimi i investitorëve të shtohet.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar stimulim të prodhimeve vendore në mënyrë që ata të rrisin cilësinë e prodhimeve që ti përshtaten tregut rajonal.    

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)