14 Maj 2024

Beqaj njofton komunitetin e biznesit me projektet e MZHE-së

Prishtinë, 20 shkurt - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka shpalosur sot programin e MZHE-së para asociacioneve të biznesit dhe ka njoftuar ata në mënyrë të detajizuar me projektet të cilat aktualisht është duke i zhvilluar kjo ministri, ndërsa është diskutuar mundësia e përballimit sa më të mirë të krizës ekonomike që ka përfshirë vendet e Evropës.

Në një takim ku merrnin pjesë drejtues të asociacioneve të biznesit si Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Britanike në Kosovë, Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Oda Ekonomike Frengo-Kosovare, Beqaj ka rikonfirmuar edhe një herë planin dhe vizionin e zhvillimit ekonomik të Qeverisë së Kosovës përmes transformimeve strukturale në ekonomi.

Ai tha se ky transformim përfshin edhe procese të reformave nëpër ndërmarrjet publike por edhe procese te privatizimit dhe zhvillimit të projekteve të reja, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punësim dhe në rritje ekonomike.

“Unë pata sot një bisedë mjaft miqësore dhe thelbësore me komunitetin e biznesit. I njoftova ata për projektet që Ministria i ka në fushën e energjisë, për hapat të cilat i kemi në procesin  e privatizimit dhe distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike, proces i cili presim në prill të kemi shpalljen e fituesit dhe fillimin e procesit të investimeve dhe përgatitjen e kontratës për një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se drejtuesit e komunitetit të biznesit i ka njoftuar edhe me projektin e TC “Kosova e Re”, projekt i cili siguron furnizim me energji elektrike për qytetarët e vendit dhe synon fatura të përballueshme për qytetarët, duke respektuar në maksimum standardet ambientaliste të BE-së. Në të njëjtën kohë është diskutuar edhe për projektet e energjisë alternative, projekte të cilat duhet të kristalizohen dhe të hapen mundësi të reja për investime.

“I njoftova po ashtu edhe për reformën të cilën e kemi filluar në PTK, me ndarjen e Postës nga Vala dhe Telekomi i Kosovës, për planin e biznesit të cilin e ka pranuar Komiteti i Ministrave për ndërmarrjet publike dhe  përgatitjen që kjo ndërmarrje publike të shkon drejt privatizimit”, tha ministri Beqaj.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe diskutimet për minierat, Strategjinë Minerare, tantiemat, përgatitjet të cilat janë duke u bërë për valorizimin e resurset ekonomike të Republikës së Kosovës, të cilat do të mundësojnë tërheqje të investimeve.

Nga ana e tyre, drejtues të asociacioneve të komunitetit të biznesit i kanë dhënë mbështetje  projekteve energjetike dhe procesit të privatizimit duke vlerësuar se kjo do t’i jepte një impuls ekonomisë së vendit dhe do t’i hapte rrugë investimeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)