29 Prill 2024

BE bën edhe një hap drejt mbylljes se kampeve RAE

Prishtinë, 1 shkurt - Zyra ndërlidhëse e KE-së në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, sot në Mitrovicë ka bërë të ditur zhvendosjen e 38 familjeve rome, ashkalinjë dhe egjiptian (RAE) nga kampi i kontaminuar me plumb Osterode në Mahallën e Romëve në Mitrovicë. 

Familjet janë zhvendosur në shtëpitë e reja të ndërtuara me fondet e BE-së pas 11 viteve jetese në këtë kamp. Familjet e zhvendosura, në kuadër të të ashtuquajturës pako e riintegrimit, gjithashtu kanë marrë ndihmë sipas nevojave të veçanta (p.sh. mobile, aparate shtëpiake, dru për ngrohje, trajnime, grante, etj). 

BE-ja në dakordim me komunën e Mitrovicës gjithashtu ka rindërtuar shtëpitë e tetë familjeve të komunitetit të kualifikuara për ndihmë sociale.

Kjartan Björnsson, drejtor i operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të KE-së në Kosovë tha: “Zhvendosja e familjeve RAE është edhe një e arritur tjetër e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për mbylljen e kampeve dhe për ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të strehimit dhe trajtimit mjekësor për ata që kanë qenë të ekspozuar nga plumbi për një kohë të gjatë.”

Sasha Rashiq, Ministër i Komuniteteve dhe Kthimit tha: “Ishin përpjekjet e përbashkëta të donatorëve, institucioneve, partnerëve implementues dhe më e rëndësishme e familjeve që kanë bërë të mundshëm kthimin në Mahallën e Romëve. Do të përkrahen të gjitha familjet që largohen nga kampi, vendosen në shtëpitë e reja dhe të fillojnë një jetë në kushte normale."

Latif Masurica, lider i komunitetit RAE, shprehu vlerësim për të gjithë ata që kanë kontribuuar duke thënë se komuniteti tani do të jetë në gjendje të jetoj me dinjitet dhe krenari si qytetarët e tjerë të komunës së Mitrovicës.

Shtëpitë e reja janë pjesë e projektit në vlerë prej 5 milion euro të financuar nga BE-ja për përkrahjen e zhvendosjes së RAE që si qëllim të fundit ka mbylljen e kampeve të kontaminuara me plumb në Mitrovicën veriore. 

Zhvendosja e fundit ka zvogëluar numrin e familjeve që jetojnë në kampin Osterode në 39.  Në fund të muajit korrik 2011 pritet të bëhet mbyllja e përhershme e kampit.

Ky projekt përdor qasjen multisektoriale, ku përfshihen ndërtime dhe riparime të shtëpive, ekzaminimi dhe trajtimi mjekësor, gjenerimi i të ardhurave, iniciativat për zhvillimin e komunitetit, dialogu ndëretnik, arsimi, regjistrimi civil, ndihma ligjore dhe përkrahja për ngritje të kapaciteteve të autoriteteve komunale në Mitrovicë.

Ky projekt gjithashtu bashkëpunon me një projekt të ngjashëm të financuar nga USAID për përkrahjen e procesit të zhvendosjes së RAE.  Këto dy projekte implementohen nga “Mercy Corps”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)