15 Maj 2024

BE arrin marrëveshjen për vendosjen e rregullave të reja fiskale

Bruksel, 1 shkurt - Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar një fond të përhershëm shpëtimi prej 661 miliardë dollarësh i cili do të hyjë në fuqi në muajin korrik.

Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Britanisë së Madhe dhe Republikës Çeke, gjithashtu kanë rënë dakord mbi rregullat e reja fiskale për të garantuar shmangien e  krizave rajonale të borxhit, si dhe për të kthyer besimin e tregjeve financiare.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian shkuan në Bruksel për të finalizuar atë që quhet “pakti fiskal” për të shmangur krizat e ardhshme si dhe për të gjetur mënyra për nxitjen e rritjes ekonomike në vendet të cilat aktualisht janë në vështirësi.

Marrëveshja, e cila përcakton rregulla të rrepta për buxhetin, u miratua nga 25 udhëheqësit dhe pritet të nënshkruhet në muajin mars. Britania e Madhe dhe Republika Çeke nuk ishin dakord me marrëveshjen. Britania e Madhe thotë se marrëveshja i heq shumë nga kompetencat për marrjen e vendimeve mbi ekonominë e saj.

Udhëheqësit evropianë kanë qenë objektiv i kritikave të shumta se ata nuk kanë vepruar me shpejtësinë e duhur për të trajtuar krizën e borxhit e cila u shoqëruar me rënie të madhe ekonomike. Por presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se përpjekjet e kontinentit për të trajtuar çështjen në fjalë janë në rrugën e duhur.

“Ne kemi një strategji, dhe jemi në rrugën e duhur”.

Kolegu i tij, Presidenti Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy, tha se ai nuk është i shqetësuar që dy vende nuk mbështetën marrëveshjen e re, duke thënë se 17  vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro dhe vende të tjera të interesuara duhet të jenë në gjendje të punojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre, edhe nëse Bashkimi Evropian nuk është i njëzëshëm lidhur me mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve.

“Me këtë marrëveshje ne kemi ruajtur unitetin e BE-së aq sa ishte e mundur, duke marrë parasysh se ato vende që janë pjesë e monedhës së përbashkët kanë mundësi të merren me problemet që kanë të bëjnë me monedhën e tyre”.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu morën disa hapa që kanë për synim nxitjen e rritjes ekonomike, duke lansur programe për të ndihmuar bizneset e vogla dhe për të krijuar vende pune, veçanërisht për të rinjtë. Por ata e pranojnë se kjo përpjekje është e vështirë në një kohë kur shumica e vendeve nuk kanë para të mjaftueshme për të investuar drejtëpërdrejt në krijimin e vendeve të punës apo për të nxitur rritjen ekonomike.

Kreu i i organizatës Miqtë e Evropës, Giles Merritt, thotë se udhëheqësit evropianë dhe popujt e tyre ende nuk janë përballur me sfidën themelore që gjendet para tyre.

“Unë nuk mendoj se ata kanë marrë nota shumë të mira. Ne të gjithë e dimë se Evropa ka jetuar përtej mundësive të saj. Duhet të ketë një lloj ristrukturimi të plotë të shoqërisë evropiane. Të gjithë e dinë këtë. Ajo që ne nuk e dimë është mënyra se  si mund të bëhet kjo”.

Zoti Merritt thotë se vendet evropiane nuk mund të përballojnë më programet e mëdha sociale që ato u ofrojnë popujve të tyre, por ulja e shpenzimeve për të pakësuar ose eliminuar ato programe është jashtëzakonisht jopopullore.

Takimi i djeshëm përkoi me një grevë të përgjithshme në Belgjikë kundër planeve të qeverisë për shkurtime. Zoti Merritt tha se veprimet e tilla, që ai i quajti “zymtësi sociale”, do të shtohen ndërkohë që Evropa përballet me një verë e cila do të shoqërohet me rritje të ngadaltë ose recesion.

Ndërkohë, një nga ekonomitë më të trazuara të Europës, Greqia, bëri një hap më afër arritjes së marrëveshjes me kreditorët për ristrukturimin e borxhit të saj. Marrëveshja pritet të arrihet brenda disa ditësh, megjithëse udhëheqësit grekë hodhën poshtë thirrjet që zyrtarët e BE-së të kenë të drejtën e vetos mbi vendimet qeverisë greke për buxhetin e ardhshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)