11 Maj 2024

BB, prioritet bujqësia, energjetika dhe trajnimi i kuadrit

Prishtinë, 16 mars - Sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur takimi i kryetarëve të grupeve parlamentare me  përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë: znj. Jane Armitage, drejtoreshë vendore dhe koordinatore rajonale për Evropën Juglindore dhe Jan - Peter Olter,  menaxher vendor në  Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë.

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, i cili e ka drejtuar takimin, shprehu falënderimin ndaj Bankës Botërore për mbështetjen e deritanishme për Kosovën, si dhe u ka garantuar mysafirëve se Kuvendi i Kosovës do të jetë në përkrahje të projekteve  të Qeverisë së Kosovës, të cilat do të mbështeteshin nga ky institucione financiar.

Drejtoresha vendore dhe koordinatorja rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage,  kuvendarëve të Kosovës ua ka bërë të ditur politikat e Bankës Botërore në krijimin e strategjisë katërvjeçare të prioriteteve për vende të veçanta, duke përfshirë në këtë mes edhe Kosovën.

Ajo ka sqaruar se Kosova do të mbështetet me projekte të veçanta të financimit, por edhe studime shkencore për orientim investimesh të kapitalit të huaj në Kosovë, me qëllimtë zhvillimit ekonomik të vendit, shtimin e punësimit dhe eleminimin e varfërisë.

Menaxheri vendor në  Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë, Jan - Peter Olter, ka theksuar se Kosova për shkak të mosintegrimit të mjaftueshëm të saj në ekonominë globale botërore, fatmirësisht nuk është prekur shumë nga kriza ekonomike që ka goditur disa vende evropiane, ndërkaq e ka vlerësuar shumë pozitiv edhe balancin e  huave në raport me kapitalin ekzistues në Kosovë.

Ai ka sqatruar se Banka Botërore ka bërë studime të shumta për mundësitë e projekteve zhvillimore në Kosovë, sidomos për sa i përket bujqësisë, kapaciteteve energjetike, si dhe për kualifikimet profesionale të të rinjve, konform kërkesave të tregut.


Nënkryetari i Kuvendit, Haliti, por edhe shefat e grupeve parlamentare: Beqiri, Grabovci, Ymeri, Gjini dhe Kinolli, kanë vlerësuar vrojtimet e ekspertëve të Bankës Botërore për gjendjen ekonomike në Kosovë, për resurset zhvillimore dhe mundësitë e investimeve rentabile në vendin tonë, por kanë përmendur edhe nevoja shtesë për projekte me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.

Në këtë mes kanë shtruar ide për financimin e projekteve për sigurimin ujit të pijshëm për qytetarët e Kosovës, për trajtimin e ujërave të zeza, si parakusht për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe të ambientit nga ndotja.

Ata kanë përshëndetur interesin e Bankës Botërore për të mbështetur projekte në lëmin e bujqësisë, por kanë kërkuar edhe mbështetje për sigurimin e tregut (në kushte të barabarta) për prodhimet bujqësore nga Kosova, si dhe përqendrim sa më të madh për industrializimin e Kosovës edhe sa i përket përpunimit të produkteve bujqësore.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore : Armitage dhe Olter kanë specifikuar se për rregullimin e Kadastrit dhe menaxhimit të tokave bujqësore janë paraparë 20 milionë euro nga Banka Botërore, si dhe 9 milionë euro, si grante nga Danimarka, kurse për sa i përket efikasitetit të energjisë në sektorin publik ka pohuar se do të ndahen 32 milionë euro.

Ajo ka theksuar edhe  interesimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projekteve energjetike në Kosovë mbi bazën e linjitit, të cilat,  sipas ekspertëve të kësaj banke, nuk janë në kundërshtim me parimet bazë kundër ngrohjes globale.

Ndërkaq, kanë përmendur edhe investimet në projektet energjetike alternative, si: hidrocentralet të vogla, centrale gjerotermale, prodhimin e energjisë nga era etj.

Ata kanë bërë të ditur se gjatë muajit prill  do të vijë për vizitë në Kosovë nënkryetari i Bankës Botërore,  Philipe Le Houerou, për të bërë të qartë politikat e BB-së për projektet zhvillimore në Kosovë.

Kanë pohuar ndërkaq se,  Zyra e BB-së në Prishtinë do të jetë e hapur për Qeverinë, për Kuvendin e Kosovës dhe për të gjitha partitë e përfaqësuara në te, për t’i sqaruar nevojat dhe përshpejtuar realizimin e projekteve zhvillimore për vendin tonë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)