28 Prill 2024

BB mbështetë sektorin financiar dhe infrastrukturën e tregut

Prishtinë, 3 gusht - Kryeministri Thaçi dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak, nënshkruan sot marrëveshjen për mbështetjen e sektorit financiar dhe infrastrukturës së tregut në Kosovë. 

Kredia e cila u nënshkrua sot është në shumë prej 4.3 milion euro  (ekuivalent me rreth 6.85 milion dollarë) dhe ka për synim implementimin e projektit për sforcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut te Bankës Qendrore.

Projekti është i një rëndësie te veçantë për faktin se mbulon një sferë të rëndësishme të institucioneve dhe tregut të Kosovës.  Ai synon të ndërtoj një Bankë Qendrore funksionale, të pavarur dhe me standarde Evropiane. Kjo do të rritë besimin në sektorin financiar dhe në stabilitetin e përgjithshëm të sektorit.

Në këtë kuadër projekti ka për objektiv rritjen e stabilitetit dhe zhvillimit të sektorit financiar dhe sforcimi i infrastrukturës së tregut të këtij sektori. Përmes këtij projekti do të financohen disa sfera të fushëveprimit te BQK-se, si: Sforcimi afatgjatë institucional, i kapacitetit financiar dhe qëndrueshmërisë; përmirësimi i rregullativës se BQK-së në sferën e mbikëqyrjes bankare, të kompanive të sigurimit dhe institucioneve jobankare.

Themelimi i sistemit të pagesave të vazhdueshme (real time-RTGS) me qëllim minimizimin e rrezikut gjatë balancimeve të pagesave dhe ngritjen e besimit tek bankat komerciale.  Themelimi i sistemit rezervë  për BQK-ne për të mundësuar funksionim të vazhdueshëm në rast të fatkeqësive, si dhe një komponentë po ashtu e rëndësishme e këtij projekti është edhe financimi me kapital themeltar të Fondit për Sigurimin e Depozitave. 

Ky fond tanimë ka filluar të funksionojë dhe ne presim që përmes tij të shohim ngritje të mëtejme të besimit dhe të qëndrueshmërisë së sektorit bankar.  Për tërheqjen e këtyre fondeve ne së bashku me BQK-ne jemi zotuar për përmbushjen e disa parakushteve, të cilat kryesisht lidhen me funksionalizimin e Fondit për Sigurimin e Depozitave, obligime të cilat veçse janë përmbushur tashmë. 

Implementues i projektit do të jetë BQK, në koordinim me MF dhe me institucione tjera.  Kredia do të ketë një kamatë simbolike dhe do te aplikohet për ne shumën e pa tërhequr 0.5 %, kurse për shumën e tërhequr do të aplikohet kamatë prej 0.75%.  Kredia ka një ‘greis’ periudhë prej 10 vitesh dhe një afat pagesë po ashtu prej 10 vitesh tjera, duke filluar me pagesa në vitin 2021 për të përfunduar kthimin me 2031. 

Ndërkaq, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak ka thënë se Projekti mbështetë strategjinë e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e tregut të kapitalit dhe forcimin e stabilitetit të sektorit financiar.  “Objektivat e projektit  janë ngritja e stabilitetit dhe zhvillimi i sektorit financiar si dhe fuqizimi i infrastrukturës themelore të tregut të sektorit financiar”, ka thënë z. Nayak.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)