Bankierët deri në 15 mijë euro paga

Prishtinë, 17 prill - Prej 300 deri në 15 mijë euro në muaj sillen pagat në sistemin bankar të Kosovës, paga këto nga më të lartat në vend.
Sistemi bankar për shkak të fitimeve të mëdha që ka realizuar që nga paslufta, ka angazhuar një numër të madh të punëtorëve, ku për top-menaxherët vazhdimisht janë rezervuar paga të majme dhe bonuse.
Drejtorët gjeneralë të bankave marrin 3000, 5000, 10 mijë e deri në 15 mijë euro në muaj, varësisht nga pjesëmarrja e bankave në treg, ndërsa paga më e ulët e punëtorëve është 300 euro, bën të ditur Milazim Abazi, ekspert bankar.
Sipas tij, sistemi bankar ende nuk është zhvilluar sa duhet, prandaj, vazhdimisht kërkohen punëtorë të rinj, të specializuar në këtë lëmi.
Bazuar në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, bankat komerciale për 12 vjet kanë shënuar fitim të pastër prej hiç më pak se 250 milionë euro, i cili profit është realizuar falë normave të larta të interesit në kredi, të cilat mesatarisht janë sjellë rreth 15 për qind.
Në sektorin bankar të Kosovës, sipas raportit të BQK-së për vitin 2011, janë të angazhuar 3728 punëtorë, krahas 3610 punëtorë sa ishin në vitin 2010.
Abazi pohon se konkurrenca në sektorin bankar duhet të zhvillohet edhe më shumë, duke u hapur banka të reja, me çrast do të ketë rritje të shërbimeve dhe ulje të kamatave në kredi. Megjithatë bankat kosovare vazhdimisht kanë fituar shumë më shumë se në vendet e rajonit, kjo falë normave të interesit në kredi, shprehet ai.
Profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Bankës Qendrore të Kosovës, konfirmon për Zërin se kërkesa e studentëve për regjistrimin në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik në kuadër të Universitetit të Prishtinës është shumë e lartë. Kërkesë shumë e madhe është për regjistrim në drejtimin e bankave dhe financave, shprehet Bektashi.
Sipas tij, sistemi bankar dhe ai i sigurimeve që nga viti 1999 e deri më tani në vazhdimësi ka shënuar në trend të rritjes së vendeve të punës dhe njëkohësisht pagat në këtë sektor, siç thotë ai, janë më të lartat se në sektorët tjerë në vend.Top-menaxherët e bankave përpos pagave të larta, vazhdimisht kanë përfituar edhe bonuse, si rezultat i rritjes së fitimeve, sqaron ai.
Profesori Bektashi sqaron se studentët e universitetit publik pranohen shumë më shpejt në sektorin bankar të Kosovës se sa ata të kolegjeve private,kryesisht si rezultat i cilësisë së studimeve në këto universitete.
Në anën tjetër, ish-menaxheri bankar, Milazim Abazi, nuk pajtohet me Bektashin sa i përket kuadrove që dalin nga Universiteti i Prishtinës.Fatkeqësisht universiteti publik dhe ato private nuk përgatisin kuadro të forta për të punuar në sistemin bankar. Pas kryerjes së studimeve, atyre u nevojiten specializime në këtë lëmi, përfundon Abazi.
/Zëri/