10 Maj 2024

Banka Botërore po kalon në partneritet me Kosovën

Prishtinë, 5 prill - Kryetari i Kuvendit të  Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare zv.presidentin e Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, i cili shoqërohej nga Jan Peter Olters - menaxher i BB-së për Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e deritanishme për Kosovën, për projektet e realizuara deri më tani, duke e garantuar mysafirin se Kuvendi i Kosovës do të përkrahë projektet e Qeverisë së Kosovës, të cilat do të mbështeteshin nga ky institucione financiar, si dhe do të krijojë legjislacionin e nevojshëm të vendit për fushat e nevojshme.

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, ka sqaruar se nga mbështetja e deritanishme për Kosovën, Banka Botërore po kalon në partneritet me vendin tonë.

Ai ka theksuar rëndësinë e takimeve  me deputetë, me qeveritarë dhe me shoqërinë civile, për të biseduar për përparësitë zhvillimore që ka Kosova dhe për projektet e mbështetura nga Banka Botërore, të cilat do të realizoheshin me efektivitet sa më të mirë.

Le Houerou i ka lavdëruar si shumë dobiprurëse investimet e BB-së në arsimin e Kosovës; ka folur edhe për projektet në bujqësi, në ujitjen e tokave dhe sigurimin e ujit të pijshëm, por më së shumti është përqendruar në mbështetjen e kapaciteteve energjetike mbi bazën linjitit në Kosovë.

Ai ka pohuar se ekspertët e BB-së kanë vlerësuar se me gjithë projektet e mundshme për kapacitete të energjisë së ripërtritshme (normat e BE-së kërkojnë 20 për qind të kësaj energjie), megjithatë Kosova zhvillimin e saj energjetik, detyrimisht, duhet ta mbështesë kryesisht mbi bazën e thëngjillit. 

Zv.presidenti i BB-së, ka shfaqur kënaqësinë që Kosova qëndron mirë në planin e makroekonomisë, por e ka vlerësuar shumë të nevojshme edhe zhvillimin e politikave sektoriale, sidomos mbështetjen e sektorit privat.

Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, por edhe shefat e grupeve parlamentare: Beqiri, Grabovci, Ymeri,  Marinkoviq dhe Selmanaj, kanë vlerësuar Raportin e Bankës Botërore për resurset natyrore dhe humane të Kosovës, si dhe për përparësitë dhe vështirësitë e Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ata e kanë vlerësuar vullnetin e BB-së për mbështetjen e projekteve zhvillimore të Kosovës, por kanë kërkuar që zhvillimi i tyre të reflektohet në mënyrë të favorshme për mirëqenien e qytetarëve. Në këtë mes është vlerësuar shumë e nevojshme që të ruhet, brenda Kosove, pronësia mbi objektet ekonomike dhe pasuritë natyrore të vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)