01 Maj 2024

AKP shpërndan 20 % për katër ndërmarrje

Prishtinë, 24 shkurt - Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit përfundoi mbledhjen e rregullt të radhës, në të cilën u diskutua për një numër të çështjeve të ndërlidhura me mbarëvajtjen e procesit të punës së kësaj agjencie.

Në vazhdën e implementimit të strategjisë për përshpejtimin e ndarjes së 20 për qindëshit, Bordi i Drejtorëve miratoi listat e punëtorëve të shqyrtuar nga Komisioni përkatës për shpërndarjen e pjesshme të shumës së 20% punëtorëve të kualifikueshëm për katër ndërmarrje shoqërore.

Ndërmarrjet qe do t’i marrin 20 për qindëshin janë: Ndërmarrjen Shoqërore (NSH) “Metal Holding” Janjevë – Prishtinë, për NSH “Fabrika e Vajit dhe Yndyrave Bimore” – Gjilan, NSH “IDGJ” – Gjilan dhe për NSH “NBI” Rahoveci – Prizren.

Janë 1343 punëtorë që do të përfitojnë nga shuma 20 % e shitjes së këtyre katër ndërmarrjeve shoqërore, bazuar në listat e punëtorëve.

Ky është një hap tjetër i rëndësishëm i Bordit të AKP-së drejt arritjes së objektivit për përfundimin me shpërndarjen e 20 % për punëtorët e kualifikueshëm të ndërmarrjeve të privatizuara më parë (nga ish AKM-ja).

Bordi shqyrtoi vendimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme (OVGjS), përmes të cilit janë liruar nga moratoriumi ndërmarrjet në vijim: FBI-Pejë; FBNiCd-Gjilan; Famipa-Prizren; Metaliku-Gjakovë; FAPOL-Podujevë; Fabrika e Municionit të Gjuetisë-Skenderaj; dhe Fabrika e Ngjyrave Extra-Vushtrri.

Bordi aprovoi Biznes Planin e AKP-së për këtë vit, në të cilën u përfshinë edhe shtatë ndërmarrjet e lartë përmendura për t’u privatizuar gjatë vitit 2011.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi aprovoi Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën tetor-nëntor-dhjetor 2010, në bazë të nenit 20.1 të Ligjit nr. 03/L067 mbi themelimin e AKP-së.

Bordi i Drejtorëve shqyrtoi gjendjen në disa ndërmarrje të privatizuara me metodën spin-off special dhe vendosi që për ndërmarrjen shoqërore “Agrokosova” të fillohet me shqiptimin e gjobave për blerësin e kësaj ndërmarrjeje, për shkak të mospërmbushjes së zotimeve të përcaktuara me kontratën e privatizimit.

Bordi i Drejtorëve aprovoi Valën e 49 të privatizimit, në të cilën janë vendosur për shitje 12 ndërmarrje të reja. Për ndërmarrjen shoqërore “Famipa”, Bordi vendosi kushte në tender, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje.

Bordi i Drejtorëve diskutoi edhe për depozitimin e mjeteve të fondeve të mirëbesimit në BQK, ku deri më tani janë deponuar 485.5 milionë euro, ndërsa norma e interesit llogaritet 2.4 milionë euro, ose 2.1 milionë euro më shumë se më parë, që i bie 6.3 herë më shumë përfitime se sa që ishin fituar poqese mjetet do të mbaheshin akoma në xhirollogari rrjedhëse.

Tani për një pjesë të mjeteve, norma e interesit është katërmbëdhjetë herë më e lartë, ku punëtorët, kreditorët potencial dhe ekonomia e Kosovë përfitojnë në përgjithësi. Bordi vendosi që të vazhdohet me deponimin e mjeteve në BQK, duke kërkuar mundësi për norma më të larta të interesit.

AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.

Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve në investitorë privatë, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)